Albert Mëlyshi, kandidati i Bashkë Fitojmë i cili fitoi zgjedhjet në bashkinë e Mirditës, tha se për fitoren e tij kanë bashkëpunuar të gjitha forcat e opozitës, duke përfshirë edhe PD-në zyrtare. Në një lidhje skype për emisionin ‘Pa Protokoll’ me gazetaren Anduela Ndreu, Mëlyshi u shpreh se pas humbjes që opozita pësoi në zgjedhjet e 14 majit, duhet të ketë një hapje të Partisë Demokratike.
Sipas tij, edhe Sali Berisha duhet të reflektojë mbi këtë gjë dhe të ketë një bashkim të frontit të djathtë për të krijuar një opozitë të fortë që të ushtrojë trysni ndaj qeverisë për të bërë sa më mirë punën.
“Mënyra sesi gjithë faktorët kanë bashkëpunuar këtu ka qenë përtej interesave partiake. Pa dashur të përfshihem në politikën qendrore, mendoj që ajo që sot ka nevojë PD, është hapja e saj me të cilën kam parasysh që e djathta, individët që duan që Shqipëria nesër të jetë me një opozitë më të fortë dhe më konkurruese. E djathta duhet ta shohë emergjencë hapjen e PD-së me këta aktorë dhe individë që t’i shërbejnë jo vetëm të djathtës por Shqipërisë. Hapja do të thotë përfshirja e sa më shumë individëve, jo largim indivivësh. Për këtë duhet të reflektojë edhe Berisha dhe çdo i djathtë që do t’i shërbejnë Shqipërisë. Është e vetmja rrugë që opozita të ushtrojë trysni ndaj pushtetit qendror”- tha Mëlyshi.