Bisedoi: Martin Leka
Ka një thënie të vjetër kur flitet për vuajtjet që ka kaluar dikush. “Derës’s’vorrit du me ja tregu”! Që do të thotë se sado të flasësh, nuk mund të shprehësh kurrë atë që ndjen shpirti për ato vuajtje që ke kaluar. Historia e Viktor Martinit është historia e një burri fisnik, ku vuajtjet e dhimbjet nga regjimi komunist duket sikur e kanë mpirë, por e kanë bërë gur të forte.
Babain ja dënuan për kryengritje të armatosur dhe vdiq në burgun e Burrelit. Familja u etiketua reaksionare dhe të gjithë ishin “armiq të popullit”. Për ti shpëtuar persekutimit, dy vëllezër e motra u arratisën jashtë kufijve. Njëri prej vëllezërve mbeti në kufirin çekosllovak në korent 360 volt.
Viktori ishte vetëm 16 vjeç kur e arrestuan për tentativë arratisjeje. E dënuan me 10 vjet burg dhe e dërguan po në Burrel, aty ku i ati vdiq. Bashkë me të, arrestuan e dënuan me 6 vjet burg edhe vëllain e vogël të Viktorit, vetëm 13 vjeç…
Në Janar ’90, Viktori me disa të tjerë tentuan të rrëzonin bustin e Stalinit në qendër të Shkodrës. Ishte në fakt protesta e parë serioze që paralajmëroi zhvillimet e vrullëshme për rrëzimin e komunizmit. Pas rrëzimit të regjimit, ishte ndër aktorët kryesorë të grevës së urisë së ish-të përndjekurve politikë. Si antikomunist në gjakun e vet, ai pajtohej vetëm me të drejtën dhe të vertetën.
“Nuk do jemi hakmarrës e do luftojmë vetëm për të drejtën”, ishte deviza e tij për të gjithë bashkëvuajtësit e regjimit komunist. Gjatë një tubimi të Diasporës në fillim të viteve ‘90, kasetën me fjalën e tij dikush ja dërgoi Presidentit Sali Berisha. Dhe si “shpërblim” për gjithcka kishtë bërë për demokracinë, nga presidenca kishte shkuar një letër në zyrën e Tomor Dostit me tekst: “Viktor Martini të dërgohet në Qipro, në bujqësi ose ndërtim”…
–Kush është Viktor Martini, për brezin e lindur tre dekadat e fundit? Si duhet me tu drejtu, si demokrat, ish i burgosur politik, aktivist, apo si?
-Unë jam me origjinë nga Hoti i Malit të Zi. Baba im, së bashku me malësorët e tjerë që jetonin të robnum nga malazezët, ngritën krye që të ishin të lirë e liria nuk fitohet pa gjak. Në këtë luftë, malësorët u thyen, por nuk u perkulën. Shumë u pushkatuan. Baba ishte një ndër ata të dënum me pushkatim, mujti me ik nga burgu e erdhi në Shqipni me u strehu në hijen e flamurit krenar. Me të ardhun në fuqi bisha e popullit shqiptar, komunizmi, babën e arrestuan për kryngritje të armatosun dhe u dënu me 15 vjet vjet burgim ku vdiq në burgun e Burrelit. Pra ktu fillon dhe kalvari i vuajtjeve tona. Filluam të trajtoheshim si armiq të popullit, megjithëse ne ishim shembulli i dashnisë për popullin. Ne nuk ishim armiq të popullit, ishim armiq të sistemit komunist si shumë të tjerë. Dy vllaznit e mi e motra, Paci, Lini e Maria u arratisën. Na nxorrën nga shtëpia e na futën në një jerevi pa derë e pa dritare. O zot, një tmerr. Nana filloi punëtore në fermë. Sa kisha mbush 16 vjeç, më arrestuan me akuzë fallso për tentativë arratisje. Vëllain e vogël, Lerin 13 vjeç e akuzuan për grabitje me dhunë se i kishte marrë një fëmie tjetër xhakoventon me ja kthy mbas dy orësh. Mua me dënuan me 10 vjet burg e vëllain e vogël, gjoja se ka fy trupin gjykues, me 6 vjet burg. Merret me mend dhimbja e një nane me djemtë në burg. Paci kishte mbet në kufirin çekosllovak në korrent 360 voltsh. Vllau tjetër ishte kthy nga Jugosllavia me amnisti, por sa erdhi e dënuan me 10 vjet burg për tentativë arratisje. 18 vjeç më dërguan në burgun e Burrelit bashkë me vllaun Linin. Aty gjeta intelektualët dhe u plotësova me njohuri politike. Kur dola për të parën herë në oborrin e burgut, një grumbull të burgosurish më rrethuan nga kurreshtja. Ne mesin e tyne një burrë 80 vjeçar me pyeti si e ke emnin? -Viktor ju pergjigja. Ai çuditërisht çoi sytë nga qielli e me dy duar nga qielli tha: -O Zot të falenderoj që prune në këtë derë të mjerimit këtë krijesë kaq të njomë. Ky qenka i çmend, mendova, por dora e tij atnore u vu mbi kokën time e tha: “Mos u habit, biri im, unë e ndij në shpirt pranin tande këtu, po për ne je një dhuratë e Zotit, sepse një ditë kur na nuk do jemi, në emnin e Zotit të ngarkoj të jesh dëshmitari i vujtjeve tona”. Pra, unë jam Dëshmitar dhe detyra ime sa të jem gjallë është të dëshmoj të vërtetat që shoh! Kështu mund të më drejtoheni…
–Tentativa për rrëzimin e bustit të Stalinit në Shkodër cilësohet si shenja e parë serioze e erës së ndryshimeve demokratike. Mund të na e qartësoni këtë ngjarje, si dhe pse ndodhi?
-Sistemi diktatorial kishte marrun teposhten në gjithë Europën Lindore. Në Shqipni si as në një vend tjetër, thika e diktaturës kishte hy përtej kocit, në palcë. Shkodra e persekutume ose siç na çuanin “Shkodra reaksionare” e ndinte detyrë të demonstronte kundër diktaturës dhe me rrëzu bustin e diktatorit Stalin që qëndronte sherbes në mesin e bulevardit. Kjo ishte shkëndija e parë që do u shpërndante fuqishëm në gjithë Shqipërinë. Me 13 Janar na arrestuan mua me gjithë vëlla, Ded Kasnecin, Gjergj Livadhin, Rin Manajkën, Kolec Lubinën, Qazim Elbasanin e disa të tjerë. Disa që pranuan misionin nuk u prekën me dorë. Unë, Rin Manjaka e Leri u torturuam barbarisht. Mbas 5 ditësh na transferuan nga Shkodra së bashku me Ndoc Liqejzën, Pjerin Velin, Gjovalin Zefin e Gjovalin Rrolbën dhe Pavlin Shtjefnin drejt Elbasanit. Këta i kishin marrun nga shtëpitë. Fillimisht na derguan në Spitalin e burgut të Tiranës e mbas një jave na çuan në psikiatrinë e Elbasanit. Pa asnjë rekomandim mjekësor e pa asnjë akuzë, vetëm për izolim sipas metodave staliniane ku njerëzit çmendeshin ose i vrisnin me metoda barbare. Por nuk ndodhi ashtu. U gezuam kur drejtori i spitalit na kumunikoi se jeni të lirë me shku ne shtepitë tuaja, duke na kërku të falun e duke na thanë se ”kishim urdhun tu mbanim këtu”.
-Me këtë biografi antikomuniste, pse nuk u futët në politikën aktive, çfarë ju pengoi?
-Pikërisht biografia ime “e keqe” nuk më lejoi që të bashkohem me partinë e Liderit Komunist Sali Berisha, pasi në ndryshim nga çfarë ëndërronim e prisnim, në këtë parti hynë shumë spiunë e shumë njerëz që i kishin shërbyer me zell diktaturës.
-Pse ikët në Amerikë?
-Ne Dhjetor ‘91 me një grup të përndjekurish politikë u ftuam nga diaspora, ku u pritëm shumë mirë. Në një tubim të madh të diasporës, mbajta një fjalim, ku me pak fjalë, bëja thirrje për ndërrimin e pushtetit në mënyrë demokratike, pa hakmarrje dhe të kemi kujdes nga dhelpra e politikës Ramiz Alia, i cili po përgatit urën që eksponentët e diktaturës të kalojnë pa u lagur, duke mos dhënë llogari për krimet e kryera. Kaseta i shkoi në dorë Sali Berishës e kur u ktheva, ura mes nesh ishte shembur. Për të tani isha armik i planeve të komunistëve. Isha kurioz ta takoja ballë për ballë e mbas 2 muajsh më rezervoi një takim.Me hipokrizinë që e karakterizon, u çua në këmbë dhe shtrënguam duart. Asistenti i tij për dreq më bani një pyetje: a jeni të kënaqun me Presidentin?… Isha i mbushun me dreqën kundër tij dhe ju përgjigja: -Me Saliun po, se ka ba ca punë, me Presidentin jo! Ndërhyni Berisha: -humor shkodran. -Jo i thashë, nuk asht humor, por nuk jam dakort që një komunist të jetë President në shpresat e demokracisë që po lind. Më ftoi të ulesha në kolltuk, por unë i thashë jo, po ulem te kjo karrike ku një vit më parë pata takim me Presidentin Alia e po shikoj se ambienti qenka i njëjtë. Ndryshoi çehre. -Për çka keni ardhun, më pyeti ftohtë. -Nëse të kujtohet kur ishim në grevë të urisë me të persekutumit politik, je ulun në batanijen time dhe me ke lexu kërkesat që do paraqisnit në parlamentin socialist. Kur i lexove më pyete, a ke me shtu gja? Me shkru asht kollaj, me realizu asht zor. Do ju japim ma shume se sa keni shkru, ke thanë atëherë. Urdhnove që të merren emrat e grevistëve për punësim e shkollim jashtë shtetit e unë i ndalova shokët me këto fjalë: A nuk ashtë turp për ne që në këtë grevë të prijmë për privilegje?! Kur të dalim do hyjmë në rradhë e të marrim atë çka na takon, kur të na takojë.
Pra, vazhdova bisedën, sot jam në kohë me kërku punë, punë do të thotë bukë, bukë do të thotë jetë e kam të drejtë me jetu i bindun se dhe unë e kam vu një guralec në themelet e kësaj demokracie. Jo tha Berisha, ti ke vu një shkamb. A don me shku në Qipro? Ku te vendosni ju, i thashë. Mendova se në Qipro do jetë hap ndonjë ambasadë e të pakten roje dere do punoja atje.
U ndamë. Mbas nja dy javësh shkova me taku Tomorr Dostin që ishte shef kuadri në PD, me të cilin kishim jetu në dhomën nr.3 në burg të Burrelit. Më priti përzemërsisht dhe më pyeti a ke qenë tek Presidenti? Po i thashë. Me ka sjellë një letër për punë, por më vjen zor me ta dhanë, më tha Tomorri. Po turpi ashtë i tij e ti më difto letrën o Tomorr! Ma dha tuj ju dridhë dora, ku thuhej: të dërgohet urgjentisht Viktor Martini në Qipro në bujqësi ose në ndërtim… Më pushtoi një ndjenjë e keqe dëshpërimi e inati. Mos ja lini këtë turp Berishës, i thashë bashkëvuajtësit tim. Je gjaknxehtë Viktor, merre më qetë, tha ai. Po i thashë, jam shumë, por keni me e kërku gjaknxehtësinë time, ashtu sikurse do tju vijë turp për gjakftoftësin tuaj, se Berisha ka për tju eleminu, sikur në fakt ndodhi në të vërtetë, i eleminoi një e nga një. Ky ishte momenti që vendosa të ik në Amerikë!
-Para 32 viteve kemi bërë një bashkëbisedim për gazetën “Koha Jonë”. Atëherë ju ishit optimist për zhvillimet demokratike në vend. Edhe Azem Hajdari atë kohë pat thënë se për tre vjet, Shqipëria do bëhet si Zvicra. Sot si mendoni?
-Po, dhe më lejoni tju komplimentoj se gazeta “Koha Jonë” dhe gazetarët e saj ishin me pikpamje të pastërta demokratike. Unë në atë kohë isha shumë optimist, por nuk më shkonte ndër mend se ky popull do ishte aq “qorr” sa të vinte një komunist në krye të vendit, por shfajësoj se njerëzit kur janë etshëm e undshëm, pijnë e hanë çfarë ju del përpara. Sa për thëniet e Azem Hajdarit, ka thënë të vërtetën se Zvicër e kanë ba, por për veten e tyne të gjithë politikanët shqiptarë, tuj lanun në vorfni popullin e tyne.
-Janë bërë shumë zgjedhje në Shqipëri e sërish do të kemi zgjedhje këto ditë. Kush mendoni se kanë qenë zgjedhjet më të lira? (Në parantezë, Neritan Ceka me tha sot se zgjedhjet më të lira kanë qenë të 31 marsit 91)
-Ju thoni se Neritan Ceka ka thanë se zgjedhjet e para kanë qenë më të lira, kurse unë mendoj të kundërtën, sepse Ramiz Alia në bashkëpunim me Berishën vunë ligjin që nacionalizmi shqiptar të mos merrte pjesë në votime, duke i quajtur deri parti fashiste, e kështu ju dha avantazh organizatave satelite.
-Meqë përmendëm zgjedhjet, dua të flasim për Shkodrën. Ka 32 vjet që Shkodra voton PD e Sali Berishës edhe në zgjdhjet për kryetar bashkie. Si e gjykoni këtë dhe a mendoni se duhet ndryshuar kjo qasje dhe si?
-Po, ka 32 vite që Shkodra ime voton qorrasi për PD, pa e ditun se ku qëndron e djathta e vërtetë. Berisha kurrsesi nuk ashtë i djathtë. Presidenti Havel ka thanë: kumunisti ma i rrezikshëm ashtë ai kumunist që lufton komunizmin. Por si do që të jetë, Shkodrën e du shumë, se ma mban shpirtin peng. Shkodra nuk duhet të cilësohet arkaike e nuk duhet të mbetet e tillë. “Gozhda” e ngulun në Shkodër prej ma shumë se 30 vjet, ashtë ndryshkun…
-Partitë kryesore, PS e PD, pas tre dekash, si do ti perifrazonte një i djathtë e demokrat si ju?
-Kanë kalu shumë vite e populli voton po të njëjtit. Nuk është faji i popullit, është faji i politikës, i atyne që që për 32 vjet nuk duan me i zbrit kalit. Nuk besoj se populi nuk i njeh pesonazhet politikë, por mjerisht, njerëzit shkojnë mbas interesave të momentit e nuk shohin të ardhmen. Kjo i vendos shkopij në rrota demokracisë. Uroj që populli të gjejë veten për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Partitë që thoni ju, nuk besoj se kanë shume lidhje me doktrinat e majta apo të djathta, ato më duket konglomerat e miks elementësh mbi bazë interesash klanore.
-Do të bëj disa pyetje dhe dua përgjigje për persona konkretë. Kush është për ju Sali Berisha?
-Sali Berisha ashtë komunist i maskum, që ka eleminu të djathtën e pastër dhe i ka shkaktu shumë dëme Shqipnisë e shqiptarëve. Shpërtheu depot e armëve duke thanë se po na sulmon Jugu. Krijoi firmat piramidale, akuzohet për eleminimin e sa e sa viktimave duke i zhduk fizikisht, duke u pasuruar me gjakun e popullit shqiptar. Mbrojti diktatorët, duke mos i çu në gjyq për krimet e kryme e duke mos ba “Nurenbergun shqiptar”. Për sa fola, vula ashtë shpallja e tij “i padëshirum” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ashtë një person energjik por që nuk pranon as edhe një gabim në jetën e tij.
-Kush është Edi Rama?
Edi Ramën e kam të vështirë ta përcaktoj se edhe nuk e njoh personalisht. Në fillim hyni te PD-ja. Iku prej aty e së bashku me Spartak Ngjelën deshën me kriju në Shkodër një parti tjetër, por dështuan. Nuk me duket socialist, nuk me duket demokrat, nuk me duket liberal. Për mu ashtë pak nga të gjitha këto. Më duket i lexum e armën e tij ka artikulimin e batutën. Ka ba një politikë të jashtme të suksesëshme, por ka kusure me i shly popullit shqiptar. Besoj se nuk i ka shpëtu zakonit të politikanit me e qujt politikën si lopa pjellore për interesa vetiake.
-Kush është Ilir Meta?
Heee, kush ashtë Meta…! Kameleon. Ish-komunist i shndrrum në socialist mafioz. I bani strehë Berishës kur ju shemb shtëpia, gja që nuk ndodh në botën morale. Se sa do të jenë damokratët e vërtetë të bashkohen me këtë kulisin, nuk e di. Por nëse shkojnë pas kulisit, nuk do ti çuaj ma demokratë.
-Kush është Fatos Nano?
Nuk kam dëshirë me fol sepse iku pa bujë e zhurmë nga politika e nuk u rikthy ma e për këtë ak duhet vlersu. Si të gjithë politikanët, trashëgimtarja e pasunisë së tij ashtë politika.
-Kush është Lulzim Basha?
Basha? Ashtë politikan “Made in Berisha”, por Basha ka një meritë kur mes Berishës dhe Amerikës, zgjodhi Amerikën, interesin e shqipëtarëve.
Pena.al