Makthi për Juven nuk përfundon këtu. Pas 10 pikëve të hequra, për çështjen e pagesave fiktive, “Zonja e Vjetër” do të përballet me një tjetër vendim nga gjykata sportive, e fiksuar në datën 15 qershor. Pasi të ketë një tablo të plotë, me dokumentet nga Prokuroria e Torinos, çështja do të kalojë në dyert e UEFA-s me këtë të fundit që pritet të marrë një vendim final në qershor, nëse Juve do të ketë mundësi të luaj në kupat e Evropës.
Sipas mediave, UEFA mund të pezullojë bardhezinjtë. Dënimi i Juves ka “pushtuar” faqet e para të mediave italiane: “Juve në makth”, shkruan La Gazzetta dello Sport. “Fundoset Juve”, ishte titulli kryesor i Corriere dello Sport. “Juve, çfarë dhimbje”, lexohet në faqen e parë të TuttoSport.
Jo të gjithë janë shqetësuar për dënimin e Juve. Lazio feston dy javë përpara fundit teksa siguron matematikisht një vend në Champions League. Me konfigurimin e ri, Napoli dhe Lazio janë në Champions, ndërsa për momentin në vendin e tretë renditet Interi me 66 pikë ndërsa në vendin e katërt pozicionohet Milani me 64 pikë.