Në komisionin e Ligjeve po diskutohet projektligji për rritjen e pagave. Projektligji i sjellë nga qeveria nxiti debat tek komisioni i ligjeve, pasi deputetët kërkojnë rritje pagës së tyre. Sipas parashikimit të qeverisë, në këtë fazë rritja e pagave nuk prek politikanët, pra ministrat, kryeministrin dhe deputetët.

Në këtë fazë, u rritet paga vetëm administratës dhe vihet në zbatim vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, që u vu në lëvizje pas kërkesës së magjistratëve për respektimin e hierarkisë së pagave në republikën e Shqipërisë, ku sipas procedurës, presidenti ka rrogën më të lartë.

Ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria që parashikojnë rritjen e pagës së Presidentit nga 257 000 lekë në muaj në 425 000 lekë në muaj, çka reflektohet me rritje page në të gjithë hierarkinë e institucioneve të pavarura kushtetuese, do të shqyrtohet nga kuvendi pas zgjedhjeve lokale të 14 majit. Vendimi u mor të martën në Komisionin Ekonomisë.