Aktualisht në vendin tonë ekzistojnë dy kryengritje të kundërta, të cilat njëherësh marrin e japin me njëra tjetrën. Asnjëra pa tjetrën, ndonëse në armiqësi ekstreme, nuk mund të rrojë.
Në mijëra raste kjo lëvizje popullore është emërtuar si protestë ose edhe demonstratë. Tanimë ajo ka marrë pamjen dhe gjërësinë e kryengritjes. Plus kësaj, miliona shqiptarët janë në të njëjtin pozicion, mendje dhe moral me popullin e Vlorës.
Që nga dita e parë e ardhjes në pushtet, PD dhe Berisha, i dhanë popullin “shkopin e torbën” dhe i treguan rrugën. Rruga i çoi fëmijët nga bankat e shkollës në rrugë me dorë të shtrirë prej lypsi; rruga i çoi malësorët në vëllavrasje; rruga i çoi vajzat në prostitucion dhe djemtë në pashpresë… Rruga i dërgoi tërë njerëzit “në rrugë”. Kjo është selia e tyre qeveritare, selia e “Demokracisë Athiniote”.
Kur shteti pa njerëzit në rrugë, mendoi se kishte të bënte me kukulla qe lëvizin sipas gishtave të vet. Në këtë moment shteti tregoi rrugën ku mund të “ruante” paratë. Tregoi kompanitë rentiere mashtruese.“ Ndërsa gjatë ditës populli linte pasurinë e vet në “Vakëf”, natën shkonte qeveria dhe i gëlltiste paratë. Populli u bë dy herë “i rrugës”: Shiti edhe shtëpinë.
Përsëri në rrugë:
Me thirrjen e shtetit, populli doli në rrugë për të manifestuar me spektaklet “Vizioni 2000”. Bash paratë e tyre ktheheshin në ahengje dhe në “darkë për Mbretin”.
Teksa populli ndodhej në rrugë, “Mbreti” në Pallatin e Zgjedhjeve vodhi thesarin e votës së popullit. Kur u zgjuan nga festa marramendëse, të mjerët e panë veten në rrugë edhe një herë më shumë.
Tani ndodhen që të gjitha në rrugë. Qeveria ka gëlltitur, me anë të fajdeve, aq para sa 6-fishin e buxhetit të shtetit, një shumë të barabartë me gjithë ndihmat dhe kreditë që ka marrë Shqipëria gjatë këtyre gjashtë vjetëve, ose të barabartë me prodhimin kombëtar të një viti komplet. Po të krahasohet humbja në fajde, kjo shumë del e barabartë sa tërë Shqipëria në periudhën e komunizmit (sipas kursit të dollarit të atëhershëm)
Kryengritja e rrugës po kthehet në inversin e natyrës së saj: Nga njerëz të nxjerrë në rrugë prej qeverisë, shqiptarët po mbajnë rrugët si objekte strategjike me qëllim që të rifitojnë të drejtat.
Cila është Kryengritja në Pallat?
“Pallati” ku ndodhet, Berisha, një njeri hileqar, që nuk lëvizi nga apartamenti për“modesti”. Në anën tjetër, duke mohuar pallatin e ligjshëm presidencial, ai e ktheu gjithë vendin në çiflik të tij. Pallati i Berishës është Vila nr. 4 ku banon Berisha në momente nervoze; pallate të Berishës janë pallati i Brigadave, Mali i Dajit, Vilat e Durrësit, Vilat e Zogut, vilat e Pogradecit dhe vilat e Vlorës.
Në të vërtetë, “Pallati” është shumë më i gjërë. Të gjithë qeveritarët, presidencialët, rojet e tyre dhe hajdutët, kanë të përbashkët Pallatin
Kur u ndez Kryengritja e rrugës, në atë kohë filloi edhe Kryengritja në Pallat.
Dëshmi të ndryshme thonë se pranë pallatit ku banon Sali Berisha, këto netë ndiehen grindje të ashpra që shoqërohen me kërcitje pjatash. Bashkëshortet mblidhen kokë më kokë dhe ankohen për “burrat leshko” të cilët lejojnë kryengritësit e rrugës të artikulojnë sharje për gratë… Ndërkohë vijnë lajme se burrat e Pallatit nuk janë në gjendje të mposhtin gratë që kërkojnë hakmarrje. Meksi dhe Berisha janë shpallur si të pasur nga kancelerite europiane. Një libër në greqisht kishte shkruar kohë më parë se Berisha kishte marrë në Mynih miliona dollarë në emër të Enver Hoxhës, që në kohën kur doktori ishte mjek i Hoxhës.
Sherri më i madh në pallat është hapur për Vlorën.. Berisha, siç duket, e shtyu Meksin në aventurën e ligjit të jashtëzakonshëm për Vlorën, dhe menjëherë e la pa “ujë”. Deputetët e kundërshtuan, nëpërmjet vetë zërit të Berishës. Meksin, në vend të vilës, mund ta presë…
Nuk dihet në se pas eleminimit të zotit Meksi mund të bjerë qetësia.
Të dyja kryengritjet gjenerojnë esencën e tyre: Ndërsa kryengritja e Rrugës shfaq gjenerozitet, kryengritja e Pallatit gjeneron të qeshura afatshkurtër.
12 Shkurt, 1997