Gazment Bardhi, kreu i ri i Grupit Parlamentar të PD, ka thënë këtë të martë se një nga detyrat e tij të para do të jetë kontakti me të gjithë deputetët, pas periudhës më shumë se 1 vjeçare me përplasje mes tyre.
“Ne nuk jemi strukturë paralele, jemi grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Ky grup ka kryesinë e tij dhe gjithë funksionet e tjera. Një nga detyrat e mia të para do jetë kontakti me gjithë kolegët.
Ne kemi nevojë të flasim me njëri-tjetrin dhe të shihemi në sy për atë që ka ndodhur gjatë kësaj periudhe në PD dhe të japim opsionet tona për të forcuar grupin tonë që në zgjedhjet e ardhshme të jemi alternativë për zgjedhjet”, tha ai në emisionin “Frontline”.
Më tej, Gazment Bardhi tha se nuk mund të përjashtojë apo largojë askënd nga Partia Demokratike, por më vonë gjatë fjalës së tij theksoi se s’mund të jetë në një linjë me Sali Berishën, kur non-grata e Amerikës është e pakundërshtueshme.
“Me Berishën nuk kam pasur kontakt. Nuk kam shqetësim të takoj askënd për të biseduar. Ne ulemi me kundërshtarin tonë sepse interesi publik e kërkon këtë.
Për interes publik unë do jem i detyruar të ulem me kundërshtarët e mi politikë. Nuk më ndalon asgjë që të ulem me çdo opozitar për të mirën e përgjithshme. Unë as nuk afroj e as nuk largoj askënd nga PD.
Ajo që na ka ndarë me Berishën ka qenë rruga që do ndjekë PD-ja për t’u forcuar. Përplasja me SHBA-në nuk e forcon PD-në, por e dobëson dhe unë nuk mund të jem në të njëjtën linjë. Askush nuk ka asgjë personale me askënd. Non-grata është qëndrim i SHBA-së dhe askush nga ne nuk e zhbën apo kundërshton”, vijoi Bardhi.