Nga Ilir Yzeiri/
Këto zgjedhje, përveç fitores dërrmuese të PS-së dhe Edi Ramës, sepse ai ishte protagonisti real përballë dyshes së vjetër Meta-Berisha, ndezën edhe fantazinë e atyre që shohin anën komike, që përdorin satirën dhe ironinë për të treguar anë të veçanta të këtyre zgjedhjeve ose për të zhdramatizuar tensionin që krijohet në mënyrë të natyrshme te ne sa herë që ka fushata dhe zgjedhje. Ndër ato dhjetëra « meme » që qarkullonin në rrjet, më pëlqeu veçanërisht njëra, pikërisht ajo që humbjen e Foltores së Berishës dhe të PD-së në Shkodër e paraqitte si largimin e gjermanit të fundit, duke bërë një paralele me debatin që nisi si serioz nga berishizmi historik dhe u bë qesharak pastaj dhe që ishte debati se kur është çliruar Shqipëria apo kur ka ikur gjermani i fundit nga Shkodra, me qenë se Shkodra ishte qyteti i fundit që u çlirua në Luftën Nacionalçlirimtare. Kjo analogji mes pushtimit gjerman të Shkodrës dhe pushtimit nga PD-ja e Berisha krijoi edhe këtë shfaqje humori me gjermanin e fundit që u largua jo më 29 nëntor, por më 14 maj.
Se çfarë ndodhi në Shkodër dhe si shpjegohet vota e Shkodrës e ka treguar mjaft mirë sot në një shkrim te TEMA një nga figurat më të spikatura që ka pasur PD-ja, një intelektual dhe profesionist me autoritet si Flamur Kuçi, i cili, duke qenë edhe vetë shkodran, arrinte në përfundimin se vota e Shkodrës ishte një votë proteste ndaj atyre që kujtonin se mund ta mbanin peng Shkodrën për interesa e për lojërat e tyre politike. Refuzimi i madh që bënë shkodranët demokratë për të votuar në këto zgjedhje ishte një akt qytetarie që e tregon këtë qytet ashtu siç ka qenë ndër vite : krenar dhe me integritet. Askush nuk mund ta mbajë peng atë, as edhe Berisha që kujtonte se kishte çiflikun e tij aty. Me refuzimin që i bënë dyshes Meta-Berisha, demokratët i bënë një nder të madh dhe një shërbim të çmuar qytetit të tyre, sepse rrallë në historinë e një qyteti mund të bashkohen krenaria dhe dinjiteti i qytetarëve të tij me bastin e jetës që ka Edi Rama, pra shtetari më i lartë i vendit për të treguar se çfarë di të bëjë dhe se si do të veprojë që bashkë me Benet Becin ta transformojnë Shkodrën dhe ta kthejnë atë ashtu siç e meriton edhe Shqipëria si polin kryesor të zhvillimit.
Mbaj mend se aty nga vitet ’90, në një takim që kam pasur me disa gazetarë francezë që kishin ardhur fill pas rënies së komunizmit dhe pasi kishin vizituar me aq sa mundeshin në atë kohë veriun dhe jugun e vendit, më thanë se ju keni një anomali : jugu në përgjithësi është më i zhvilluar se veriu. Duhet ta dini që planeti ynë ka një tendencë zhvillimi gjeoekonomike të tillë: veriu ka shërbyer si motor për të nxitur edhe jugun drejt zhvillmit. Shiheni këtë tendencë në Europë, por edhe në Amerikë. Nuk dimë ta themi përse ka ndodhur kështu, por ju, nëse nuk do të zhvilloni Veriun do ta keni të vështirë të quheni një vend normal. Dhe ja çasti erdhi që Shkodra të bëhet poli i ndryshimit dhe zhvillimit në Veri të vendit. Të mos harrojmë që Shkodra edhe në kohën e socializmit, ka mbajtur një peshë të jashtëzakonshme në zhvillimin e vendit. Hidrocentralet e ndërtuara mbi kaskadën e Drinit, ato që na mbajnë edhe sot e gjithë ditën me energji elektrike, nuk mund të kuptohen pa Shkodrën dhe industrinë mekanike të atij qyteti që ishte prapavija e sigurtë dhe e talentuar e cila mundësoi realizimin e atyre veprave madhore.
Dhe tani të vijmë te demokrati i fundit në PD. Sali Berisha deklaroi sot se nuk ka ndërmend të largohet nga drejtimi i PD-së, përkundrazi, do të rrijë aty deri në fund të jetës. Për ata që e kanë harruar, dua të kujtoj se edhe në një rast tjetër, pikërisht kur lajmëronte nga bllkoni i PD-së dorëheqjen nga drejtimi i saj pasi kishte marrë 1 million shuplaka ai, duke dashur të shprehë « dashurinë » dhe përkushtimin e madh ndaj PD-së, tha atëherë që unë do të qëndroj edhe sikur një demokrat i fundit të mbetet këtu. Ai demokrat i fundit do të jem unë. Për të qenë i sinqertë këtë thënie ma kujtoi Flamur Kuçi pasi dolëm nga një studio televizive. Në atë kohë demokratët u mallëngjyen madje disa edhe qanë. Por askush nuk e kuptoi se ai betim kishte formën e thikës që po i ngulej PD-së në shpinë.
Berisha nuk do të largohet kurrë nga PD-ja, sepse vetëm duke qëndruar aty e gënjen mendja se mund të bëhet faktor e të përfillet nga ata që e kanë shpallur non grata. Ndaj demokratët duhet të përgatiten që deri kur të vijë dita që PD-ja e Berishës të marrë qoftë edhe një deputet të vetëm apo qoftë edhe një bashki të vetme, Berisha do të jetë aty, sepse ai e ka deklaruar që do të jetë demokrati i fundit. Ndaj kjo deklaratë që ai bëri sot nuk është ndonjë gjë e re. Për të qëndruar deri sa të shuhet PD-ja ai ka kohë fizike, sepse modele të tilla në vendin tonë shuhen vetëm kur shuhet demokrati i fundit.