Vetëm në një javë diferencë Greqia dhe Shqipëria mbajtën proceset elektorale, të ndryshme për nga lloji por shumë të ngjashme për nga rëndësia. Ato në Shqipëri ishin vendore por shumë politike, beteja u shndërrua në një përplasje të fortë palësh, ndërkohë që fqinji ynë jugor vendoste Qeverinë e 4 viteve të ardhshme në një periudhë sfidash të rëndësishme, sidomos ekonomike.
2 ishin elementët që u panë në të dy proceset zgjedhore, një thuajse identik dhe tjetri diametralisht i kundërt. E para lidhet me këto dy pamje në foto, e para është harta e Greqisë, thuajse një ngjyrëshe, ajo blu e së djathtës të ‘Demokracia e re’ të Kryeministrit Mitsotakis, ndërsa tjetra harta e Shqipërisë dhe ajo e ‘pikturuar’ nga shqiptarët thuajse njëngjyrëshe, me atë vjollcë të Partisë Socialiste të Kryeministrit Rama. Të dy popujt zgjodhën të konfirmonin të dyja mazhorancat në pushtet të cilat mbase edhe rastësisht kishin zgjedhur slogane të ngjashme, duke i ftuar qytetarët e tyre të zgjidhin ‘ecjen përpara’ dhe jo ‘kthimin mbrapa’ me atë që më parë i kanë qeverisur, Berisha-Meta në Shqipëri apo Tsipras që për 4 vite, 2015-2019, ishte në krye të ‘olimpit’ në Athinën zyrtare.
Mitsotakis me fitoren e tij historike, 20 pikë nga kundërshtari më i afërt dhe udhëheqës pothuajse në të gjithë njësitë zgjedhore duke i rrëzuar të gjitha bastionet të majtës, e meritoi telefonatën uruese të rivalit të tij Tsipras mbrëmë në darkë, sapo tashmë ishte i qartë rezultati. Tregues edhe një herë se vendi që ‘shpiku’ demokracinë nuk mund të mos jetë shembull në këtë drejtim. Edhe atje pati të arrestuar për blerje votash por me ta tani merret vetëm drejtësa dhe jo politika.
Por çfarë ndodh vetëm disa qindra kilometra më tutje? Në Tiranë opozita shpall fitoren sapo ka nisur votimi, pastaj e rishpalli atë sapo kutitë e votimit u mbyllen por menjëherë më pas anatemoi çdo hapje kutie me akuza për manipulim rezultati, për grupe kriminale që ‘blejnë vota’ apo ‘ushtrojnë presione’.
Pse dy opozita, të ngjashme në humbje të thellë, janë kaq të ndryshme në sjellje demokratike? Pse në Greqinë fqinje një ish Kryeministër e pranon si burrë shteti hartën e vendit, qoftë kjo edhe me ngjyrën që ‘nuk i pëlqen’? Dhe në Shqipëri 2 politikanë që prej 32 vitesh kanë mbajtur të dy së bashku mbi 25 vite 3 pozicionet më të nderuara në hierarkinë e shtetit turren të nxijnë gjithçka, mbi të gjitha imazhin e vendit.