Të huajt që lindin fëmijë në Shqipëri nuk do të kenë më kusht njohjen e gjuhës dhe historisë për të marrë nënshtetësinë. Në Kuvend është depozituar projektligji për shtetësinë ku propozohet heqja e kriterit të njohjes së gjuhës dhe historisë shqipe për disa kategori të huajsh. Nga ky ndryshim, edhe fëmijët e lindur në vendin tonë marrin automatikisht shtetësinë shqiptare, por me autorizimin e prindërve të tyre. Edhe këta të fundit mund të përfitojnë automatikisht shtetësinë, por duhet të kenë jetuar në vend për të paktën 3 vjet pa shkëputje.

“I huaji, fëmija i mitur i të cilit ka shtetësi shqiptare, mund të paraqesë kërkesë për të fituar shtetësinë me natyralizim edhe nëse nuk plotëson kushtin e përcaktuar në shkronjën “c”, të pikës 1, të këtij neni, nëse ka banuar në mënyrë të ligjshme dhe të vazhdueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë të paktën për tre vjet”.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Brendshme, vetëm në vitin 2022 kanë marrë shtetësinë shqiptare 446 shtetas të huaj, ndërsa kërkesat kanë qenë pothuajse dyfish më të larta. Shumica e tyre janë shtetas nga Kosova, e ndjekur nga shtetasit nga Turqia dhe më të paktë në numër shtetas të bashkimit europian të martuar me shqiptarë.