Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me të rinjtë korçarë që janë kthyer nga jashtë për të jetuar dhe punuar në qytetin e tyre. Kreu i qeverisë, gjatë fjalës së tij, theksoi tendencën në rritje të emigrantëve që vendosin të kthehen në vendlindje për të punuar dhe investuar këtu.

“Flitet shumë për ata që ikin por jo për ata që kthehen. Kemi vënë re një tendencë në rritje të kthimeve por ama sot janë një në 3 apo 4 që kthehen. Ata që kanë qenë për një kohë të caktuar në emigracion apo ata që shkojnë dhe kthehen më shpejt sepse nuk gjejnë atë që imagjinojnë.

Thjesht dua të nënvizoj më shumë pjesën që tha djali, nevojën për më shumë optimizëm në raport me mundësitë dhe me potencialin e madh që ka çdo vend. Në kushtet ku Shqipëria po bëhet çdo vit e më shumë një atraksion turistik, një vend ku nevoja për shërbime cilësore është shumë e madhe dhe ku mundësia për të krijuar biznese shërbimesh që nga ato të vogla që sjellin të ardhura të konsiderueshme më të mëdha se ato që fitohen jashtë duke punuar për dikë tjetër në industrinë e mikëpritjes apo shërbime online.”, tha kryeministri Rama. Rama shtoi se tanimë është një fakt që Shqipëria ka tërhequr vëmendjen e të huajve qoftë për ta vizituar por edhe për të bërë biznes.

“Shqipëria po bëhet gjithmonë e mirë e mirë dhe do të jetë shumë më e mirë në vitet e ardhshme por ka hyrë në një kthesë të madhe pa kthim dhe hapja e Shqipërisë si një dritare dhe mundësi e re në sytë e botës për t’u parë dhe vizituar, për të bërë biznes është tanimë një fakt i ri me të cilin do të jetojmë në të ardhmen dhe do të përfitojmë shumë.”, tha Rama.