Igli Cara kandidati i ‘Bashkë Fitojmë’ për qytetin e Durrësit, ka reaguar për herë të parë pasi humbi në zgjedhjet lokale. Megjithëse rivalja e tij, Emirjana Sako, fitoi me mbi 9700 vota pra, Cara thotë se rezultati është ndikuar nga shumë faktorë, që tregojnë se vullneti i qytetarëve mund të kushtëzohet, kontrollohet e të tjetërsohet.
Megjithatë thotë Cara, Durrësi mbetet familja e tij sepse lidhja me këtë qytet dhe ndershmëria, siç thotë ai, për të mbeten zgjedhje pa kompromis.
‘Mirënjohës ndaj çdo bashkëqytetari që më mbështeti përgjatë këtij rrugëtimi, duke më votëbesuar në këto zgjedhje! Falenderues ndaj çdo demokrati, opozitari, mbështetësi, që u bënë pjesë e proçesit të votimit dhe numërimit, duke tejkaluar vështirësitë dhe duke qenë aty, për t’i dhënë vlerë çdo vote!
Një rezultat i ndikuar nga shumë faktorë, i cili tregoi se vullneti i qytetarëve mund të kushtëzohet, të kontrollohet dhe të tjetërsohet, në emër të zhvillimit, për të përqendruar pushtetin në një dorë të vetme, që shpërdoron dhe grabit ditën për diell, pasuritë kombëtare dhe fondet publike. Durrësi mbetet familja jonë e madhe, që na bën bashkë, ku unë do të vazhdoj, si çdo ditë, të shikoj miqtë, kolegët, qytetarët në sy, duke u shtrënguar duart, sepse lidhja me këtë qytet dhe ndershmëria, për mua mbeten zgjedhje pa kompromis. Faleminderit me zemër!’- shkruan Cara.
Cara mori 38.784 mijë vota, e ndërsa kundërshtarja e tij, Emiriana Sako mori 48.512 vota.