Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar pas vdekjes së 52-vjeçarit Simon Toska në burgun e Fierit.
-1200-630-e1b6c5002082390ad4df9aa62367bb91
Në një deklaratë për mediat, ajo sqaron se Toska ndodhej në qeli që prej gushtit të kaluar pasi ishte arrestuar për trafik droge dhe gjatë kësaj kohe nuk kishte pasur probleme shëndetësore.
Ditën e djeshme ai ka shfaqur lodhje dhe dobësi trupore dhe pasi ka marrë trajtim shëndetësor, ka pasur një përmirësim të gjendjes së tij.
Situata është përkeqësuar në orët e para të mëngjesit të sotëm kur ai ka shfaqur probleme me frymëmarrjen dhe është dërguar me urgjencë në spitalin e Fierit, por nuk ka mundur të mbijetojë.
Deklarata e plotë
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, informon opinionin publik se me datë 04.05.2023, rreth orës 04:00 në Spitalin Rajonal Fier ka ndërruar jetë shtetasi Simon Hashim Toska, i datëlindjes 15.04.1972, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” të parashikuara nga neni,(283/2) i Kodit Penale.
– Shtetasi Simon Hashim Toska, është pranuar në IEVP Fier me masë sigurie arrest me burg, me datë 13.08.2021 dhe pas vizitës shëndetësore është pajisur me kartele klinike numër 4253.
– Që në momentin e pranimit ky shtetas është konsultuar me mjekët e institucionit, ku nuk ka referuar për ankesa klinike akute. Gjatë qëndrimit në institucion ky shtetas nuk ka paraqitur ankesa klinike dhe nuk ka marr trajtim me medikamente për patologji kronike.
– Me datë 03.05.2023, rreth orës 12:00 shtetasi Simon Toska ka referuar për lodhje dhe dobësi trupore. Presioni arterial 100/70 mm Hg, pulsi arterial në normë. Në këto kushte iu vendos një perfuzion, ku më pas referoi që ndjehej mirë dhe në gjendje të stabilizuar, nuk referoi për ankesa klinike.
– Më datë 04.05.2023 në orën 03:25 gjatë patrullimit në sektor punonjësi i policisë me shërbim njofton në radio punonjësit e shërbimit shëndetësor në detyrë, se i paraburgosuri Simon Toska ka probleme me frymëmarrjen. Pas njoftimit rreth orës 03:30 infermierët e shërbimit së bashku me grupin e sigurisë shkojnë në dhomën e shtetasit Simon Toska, në godinën e paraburgimit. Ky shtetas ka referuar për probleme, vështirësi në frymëmarrje, presioni arterial 90/60 mm Hg. Menjëherë i është dhënë ndihma e parë shëndetësore, i është aplikuar medikamenti (1 ampul) prednizolon dhe është rekomanduar të dërgohet në urgjencën e Spitalit Rajonal Fier.
– Në orën 03:34 ky shtetas është nisur për në urgjencën e Spitalit Fier, ku edhe gjatë rrugës është asistuar me masazh kardiak. Në urgjencën e Spitalit Rajonal Fier, i është dhënë ndihma mjekësore (goditja me kardio- version), në EKG konstatohet asistoli. Me gjithë ndihmën mjekësore që i është dhënë këtij shtetasi, mjekët e Spitalit Fier konkluduan se, shtetasi Simon Toska ka bërë exitus letalis (vdekje).