Enkelejd Alibeaj i është përgjigjur dhëmb për dhëmb Sali Berishës, pasi ky i fundit në një konferencë shtypi e ka shpallur kreun e larguar të PD-së në listën e tij të zezë. Në një postim të tij, Alibeaj thotë se është kthyer në origjinë si Enveri që shpallte grupe armiqësore sa gjendej në vështirësi.

Postimi i Enkelejd Alibeaj:

Humbësi i madh i zgjedhjeve të 14 majit paska gjetur sot armiq të rinj, duke publikuar dhe listën e të përjashtuarve të radhës. i zhytur në disfatën që i solli demokratëve dhe opozitës, sindroma e komunizmit i rikthehet si përherë kur humb duke shpallur grupe armiqësore. Shqiptarët e kanë të qartë se shkaku i përçarjes së opozitës është Sali Berisha, sikundër aleanca e tij me Ilir Metën ka prodhuar këshilltarë të LSI me votat e demokratëve në çdo këshill bashkiak. Bashkëpunimi i Sali Berishës dhe Ilir Metës në kurriz të demokratëve dhe shqiptarëve është një nga arsyet pse pati refuzim masiv në 14 maj dhe që e mban në këmbë regjimin e Edi Ramës. #frymëmarrjepërshqiptarët.