Në të gjithë botën ka faqe interneti për njohje, por e keqja e Shqipërisë sonë është se ka njerëz që i shfrytëzojnë këto “ueb-e” për të shqetësuar të tjerët.
Një vajzë 20-vjeçare shkruan e shqetësuar në redaksinë tonë se i kanë publikuar pa miratimin e saj numrin personal të telefonit në një faqe të tillë njohjesh. Që nga ai moment telefoni i saj nuk ka gjetur qetësi për shkak të telefonatave nga meshkuj të ndryshëm.
Shpresojmë që Policia e Shtetit, ashtu siç sheh në median tonë videot, ku mund të vjelë gjoba për shoferët e automjeteve, të shikojë edhe faqe të tilla, në të cilat abuzohet haptazi dhe njerëz tërësisht të pafajshëm detyrohen të përballen me telefonata të pakëndshme.
“Përshëndetje! Doja t’ju raportoja një shqetësim për një faqe në internet. Përmes llogarive false u shpërndajnë vajzave numrat dhe na marrin në telefon burra të panjohur. Ka tri ditë rresht që m’i bien telefonit burra/djem të moshave të ndryshme për të lënë takime.
Nuk e di sesi të veproj për të gjetur atë që e ka shpërndarë numrin apo minimalisht për të fshirë postimin tim. Po na hapin shumë punë. Si këto që ju kam dërguar ka qindra mesazhe të tjerë dhe thirrje nga njerëz të ndryshëm”, shkruan e reja.