Nga Ndroqi, në takimin me banorët atje, kandidati i PS-së për Tiranën, Erion Veliaj tha se qëllimi i fushatës së Partisë Socialiste është që të mbjellë pemë, dashuri dhe jo sherr e përçarje. Veliaj nënvizoi se kundërshtarët politikë nuk kanë qëllim të punojnë, por të bëjnë luftë me Amerikën, me artistët, me pemët.
“Këtë herë fushata jonë ka qenë ndryshe nga herët e tjera, pa debate e pa sherre, kemi mbjellë vetëm pemë sepse kemi dashur të tregojmë se pavarësisht bindjeve të njerëzve, është shumë e rëndësishme të mbjellim pemë aty ku të tjerët mbjellin sherr. Të mbjellim bashkim, aty ku të tjerët mbjellin përçarje. Të mbjellim dashuri, aty ku të tjerët mbjellin urrejtje. Shija e dashurisë, e bashkimit dhe e një peme që prodhon oksigjen do të jetë një shije shumë herë më e mirë se sa e posterave, e sherrit dhe e mallkimeve që bëjmë për njëri-tjetrin. Në Kamzë do të fitojmë bindshëm, po ashtu edhe në Kavajë, në Rrogozhinë dhe në Vorë, po pala tjetër çfarë po bën? Po shikoj fushatën e tyre, kanë 1 vit që bëjnë luftë me Amerikën, 1 muaj luftë me pemët, tani kanë një javë që bëjnë luftë me artistët. Kanë filluar luftë me Noizyn me Rita Orën, tani mbas dasmës rrezik do hapin luftë edhe me Luizin dhe Kiarën, por ne nuk kemi luftë më njeri. Ne kemi dashuri, e shoqëri, e mirësi, e mbarsi dhe punë për të gjithë njerëzit”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku krahasoi kundërshtarët politikë me ‘Big Brother’, kur tha se ata mendojnë kë të përzënë nga shtëpia. “Njëherë përzunë Jozefinën, pastaj Astrit Patozin, pastaj Majlida Bregun, pastaj Enkeljd Alibeajn, pastaj Gaz Bardhin, tani kanë përzënë edhe Lulin. Ata janë si Big Brother, për pjesën kë do të nxjerrin nga shtëpia. Kurse ne gëzohemi kush po hyn në shtëpi, kush po afrohet në shtëpinë tonë, kush po e shton familjen tonë, kush po bëhet socialist, kush po bashkëngjitet me fushatën tonë, ndaj kjo është formula e fitores. Njerëzit fitojnë kur bëhen bashkë, njerëzit fitojnë kur punojnë bashkë, njerëzit fitojnë kur përqafohen bashkë, njerëzit fitojnë kur vrapojnë bashkë dhe njerëzit fitojnë kur votojnë bashkë për Partinë Socialiste të Shqipërisë”, tha Veliaj.
Mandej ai shtoi: “Ata nuk janë të sigurt kë do të vendosin në fletë votimi. Po të vënë Saliun, ai është non grata për Amerikën. Për demokratët dhe ata që duan që familja e tyre të eci përpara ka një zgjidhje, quhet Partia Socialiste e Shqipërisë”.