Në këtë javë të fundit të fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 majit, biznesmeni Gjergj Luca ka bërë thirrje që të zgjidhen kandidatët e punës që do të transformojnë qytetet, jo ata që duan të mbyllin hallet e tyre.

Në një postim në Facebook, Luca tregon shprehjen ‘veç ai miku çohet me dorën e tjetrit’ duke thënë se kanë qenë përpjekjet e tij që e kanë bërë të arrijë deri këtu ku është pasi nuk është dorëzuar pavarësisht përplasjeve. Shprehjen e tij e sqaroi me shkrimin “me dorën e tjetrit çohet tempi dhe vrulli, bëhen madje edhe punë të mira”.

“Kjo është java e fundit e fushatës për zgjedhjet lokale dhe kisha dëshirë të ndaja një opinion timin. Gjatë 32 vitesh të rrugëtimit tim, kam pasur përballë vetes 2 kore njerëzish, një kor që më ka motivuar dhe një kor tjetër që më ka bërë mua copë. Pikërisht përplasja e këtyre 2 koreve më ka ngritur adrenalinën dhe pikërisht kjo përplasje më ka bërë që të vrapoj më fort. Si rezultat i të gjithë përpjekjeve të mia, më është vardisur një mendim që e kam kthyer në shprehje që “veç ai miku çohet me dorën e tjetrit.” Ky ka qenë rezultat i të gjithë përpjekjeve të mia për të arritur te kjo shprehje”, tha Luca.

Në përfundim, dha mesazhin që vendi mund të ndryshojë vetëm falë punës.

“Miqtë e mi, mos harroni se këto janë zgjedhje për administratorë, janë për njerëzit punëtorë, për njerëzit që ju ndryshojnë qytetin tuaj, gjendjen tuaj shpirtërore. Nuk janë zgjedhje politike. Më vjen keq që disa politikanë duan t’i kthejnë në zgjedhje politike për hallet që kanë vetë. Mbështesni ata që motivi i tyre është puna. Vetëm me punë do të bëhet ky vend dhe vetëm me punë është transformuar ky vend. Mbështesni administratorit, djemtë e mirë, ata njerëz që çojnë përpara punët e qytetit tuaj”, tha Luca.