Donald Trump e ka abuzuar seksualisht ish-gazetaren dhe shkrimtaren E. Jean Carroll dhe më pas ka dëmtuar reputacionin e saj duke e quajtur gënjeshtare, në këtë përfundim dolën të martën 9 anëtarët e jurisë së Nju Jorkut, pasi peshuan për rreth tre orë argumentet dhe faktet lidhur me një padi civile kundër ish-presidentit.

Juria i hodhi poshtë pretendimet e zonjës Carroll se ajo ishte përdhunuar, por e gjetën zotin Trump përgjegjës për abuzim seksual dhe për shpifje ndaj zonjës Carroll pasi ajo i bëri publike akuzat e saj.

Ky i fundit pritet t’i paguajë zonjës Carroll një dëmshpërblim prej 5 milionë dollarësh.

Vendimi i jurisë vjen në një kohë kur zoti Trump po zhvillon fushatën për t’u rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Juria e përbërë nga gjashtë burra e tre gra mori një vendim unanim lidhur me rastin.

Ish-gazetarja dhe shkrimtarja E. Jean Carroll e akuzoi zotin Trump për përdhunim. Sipas saj, ngjarja ka ndodhur në një dyqan luksoz në Manhatan në vitin 1996.

Por zoti Trump e ka mohuar një gjë të tillë duke i cilësuar akuzat mashtrim. Ditën e hënë, gjatë paraqitjes së argumenteve mbyllëse, avokati i zotit Trump, Joe Tacopina, tha se historia e zonjës Carroll është shumë e dyshimtë për t’u besuar. Sipas zotit Tacopina, ajo e ka sajuar ngjarjen me qëllimin për të shitur një libër me kujtime të publikuar në vitin 2019, si dhe për të denigruar politikisht zotin Trump. Por të martën juria vendosi në favor të shkrimtares.

Në klimën e polarizuar politike që ekziston në vend, duket e pamundur që verdikti i jurisë të ketë ndikim tek mbështetësit kryesorë të zotit Trump, të cilët i shohin sfidat e tij ligjore, si pjesë të një përpjekjeje të bashkërenduar nga kundërshtarët e tij, për ta dëmtuar atë.

Zoti Donald Trumpi i ka quajtur pretendimet e shkrimtares se ai e kishte përdhunuar në një dyqan në Manhattan në mesin e viteve 1990, “historinë më qesharake dhe më të neveritshme”.

Komentet e tij u bënë në një deklaratë të paraqitur në gjykatë javën e kaluar. Ish-presidenti tha se akuzat ishin “të sajuara” dhe se sulmi nuk ndodhi kurrë. Avokatët e akuzueses E. Jean Carroll luajtën për rreth 30 minuta pjesë nga deponimi i zotit Trump, duke përfshirë mohimin e prerë të tij se e sulmoi atë në mesin e viteve 1990 në një dhomë zhveshjeje të dyqanit Bergdorf Goodman.

“Nëse do të kishte ndodhur, do të ishte raportuar brenda pak minutash,” thotë zoti Trump në deponimin e tij, duke pretenduar se blerësit dhe punonjësit në “dyqanin shumë të ngarkuar” do të kishin dëgjuar sulmin dhe do të kishin njoftuar autoritetet. /VOA