Kategoria e Parë e futbollit në Shqipëri zhvilloi ndeshjet e javës së 25-të, të parafundit për këtë sezon. Në fundjavën që lamë pas u mësuan edhe katër skuadrat që zyrtarisht janë rrëzuar nga liga. Nëse Tërbuni dihej për shkak të përjashtimit, tre skuadrat e tjera që matematikisht do luajnë në Kategorinë e Dytë janë Besëlidhja, Turbina dhe Oriku. Gara tanimë në javën e fundit do jetë për zonën play-off dhe play-out.

Veç tyre, e hapur është edhe “lufta” për skuadrën që do shpallet kampione. Nëse Skënderbeu dhe Dinamo kanë siguruar ngjitjen në Superligë, një gjë e tillë nuk dihet për skuadrën që do ngrejë trofeun.

Fitorja e Besës në Korçë ka bërë që Dinamo të jetë vetëm një pikë pas Skënderbeut kryesues, teksa Blutë morën tri pikë në tavolinë për shkak të ndeshjes me Tërbunin e përjashtuar.

Kujtojmë se skuadrat e renditura në vendet 9 dhe 10 do përballen në play-out me dy skuadrat e Kategorisë së Dytë, të renditura në vendet e dyta në dy grupet. Vendet nga 3 deri në 6 në të Parën do zhvillojnë një fazë play-off, teksa fituesja mes tyre do ketë shansin të luajë me skuadrën e renditur e teta në Superligë, për një vend në elitën e vendit.