Shtatë muaj pas një shpërthimi që dëmtoi rëndë urën që lidh Rusinë me Krimenë e pushtuar nga Rusia, udhëheqësi i shërbimeve sekrete të Ukrainës më në fund ka konfirmuar përfshirjen e Kievit në sulm. “Duke qenë se kjo është një rrugë logjistike që ne duhej ta shkëputnim nga armiku, u morën masat e duhura”, tha Vasyl Malyuk, kreu i shërbimeve të brendshme sekrete (SBU) në një intervistë me gazetarin ukrainas, Dmytro Komarov.
Ai nuk dha detaje të operacionit. Imazhet e shpërthimit të 8 tetorit dhe zjarrit pasues në urë u shpërndanë në mbarë botën. Sulmi ndodhi një ditë pas ditëlindjes së 70-të të presidentit rus, Vladimir Putin. Shumica e vëzhguesve kanë sugjeruar prej kohësh se Ukraina mund të fshihej pas sulmit, megjithëse Kievi ka refuzuar të komentojë për incidentin.
Ura për në gadishullin e Krimesë, e cila u mbyll për disa ditë, dhe tani është riparuar, konsiderohet si një rrugë e rëndësishme furnizimi për trupat ruse në luftën e tyre kundër Ukrainës.
Malyuk tha se Ukraina veproi në përputhje me “traditat e luftës”. Ai tha gjithashtu se në fillim të luftës së Rusisë më shumë se 15 muaj më parë, shërbimi sekret- SBU krijoi një njësi speciale për akte sabotazhi në territorin ukrainas kundër armikut.
Malyuk tha se autoritetet ruse po vazhdojnë të kryejnë “pseudo-hetime” për sulmin në urë.
Mbi 20 shtetas rusë të dyshuar për përfshirje në krim janë arrestuar.
“Sulmet me dronë në tetor mbi anijet luftarake të Flotës ruse të Detit të Zi në Gjirin e Sevastopolit ishin gjithashtu pjesë e një operacioni special të SBU-së të kryer së bashku me forcat e armatosura ukrainase”, tha ai.