“Është e neveritshme që ata janë në finale”. Kjo është ndjenja e përbashkët e lojtarëve dhe drejtuesve të Bayer Leverkusen, të cilët me sa duket nuk e kanë gëlltitur eliminimin kundër Roma-s në gjysmëfinalet e Europa League, me ekipin e Mou që do të përballet në finale kundër Sevilla-s.
Pas ndeshjes së kthimit, e cila përfundoi 0-0 dhe i dhuroi finalen verdhekuqve falë fitores 1-0 në ndeshjen e parë, lojtarët dhe klubi gjerman bënë deklarata të ashpra kundër Special One dhe ekipit të tij.
I pari që bëri deklarata kundër Roma-s ishte Simon Rolfes, CEO i Bayer Leverkusen:
“Pas çdo gjuajtjeje në portë kishte një lojtar tjetër në tokë, të cilin duhej ta nxirrnin me barelë, sepse ishte i dëmtuar rëndë. Unë mendoj se të gjithë ata që ishin në stadium i urojnë Sevillas fat për finalen. Është e trishtueshme që të luash në këtë mënyrë të çon drejt suksesit”.
Kerem Demirbay tha: “Sa keq që një stil i tillë loje shpërblehet në një gjysmëfinale të një niveli kaq të lartë. Kjo është e hidhur, shumë e hidhur. Edhe për futbollin. Ne ende duhet t’i urojmë kundërshtarët, por ata ia arritë qëllimit në një mënyrë të neveritshme”.
Shumë i ashpër ishte edhe Nadiem Amiri: “Nuk më besohet, nuk e meritonim të eliminoheshim nga një ekip që nuk ka lidhje me futbollin.
“Pyes veten se si është e mundur kjo, mënyra se si ata luajtën në Gjermani dhe javën e kaluar. Ky nuk është futboll. Është një çmenduri që një ekip si Roma të jetë në finale”.