Është nënshkruar në Ankara marrëveshja për anëtarësimin e Turqisë në Rrjetin e Organeve Shqyrtuese të Prokurimit të Evropës Juglindore.

Në aktivitetin e organizuar për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, në ambientet e institucionit të Autoritetit të Prokurimit Publik të Republikës së Turqisë, në Ankara, ishin të pranishëm, kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik të Republikës së Shqipërisë dhe si drejtuesi i rrjetit, Jonaid Myzyri, presidentja e Organit Shqyrtues të Prokurimit të Kosovës, Vjosa Gradinaj Mexhuani, përfaqësues të institucioneve respektive, përfaqësuesi i SIGMA-OECD, Zoran Bražević, si dhe pjesmarrës online, përfaqësuesja e SIGMA-OECD, Eliza Niewiadomska, si dhe përfaqësues të Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.

Presidenti i Autoritetit të Prokurimit Publik të Republikës së Turqisë, Hamdi Güleç, përgëzoi anëtarët e Rrjetit të Organeve Shqyrtuese të Prokurimit të Evropës Juglindore, veçanërisht kryetarin e Komisionit të Prokurimit Publik të Republikës së Shqipërisë si dhe drejtuesin e rrjetit, Myzyri, për këtë iniciativë me impakt të rëndësishëm në prokurimin publik, që si qëllim kryesor ka shkëmbimin e informacionit dhe përvojës në lidhje me funksionimin e sistemeve të shqyrtimit të ankesave në fushën e prokurimit publik të vendeve anëtare, si dhe shprehu mirënjohjen ndaj të gjithë anëtarëve të rrjetit, që me vota unanime vendosën që Turqia të ishte pjesë e rrjetit.

“Që nga themelimi i tij në 2002, Autoriteti i Prokurimit Publik është përpjekur të rinovohet dhe përmirësohet dita-ditës, si në aktivitetet e shqyrtimit, ashtu edhe në aktivitetet e digjitalizimit.Zhvillimi i zgjidhjeve dhe praktikave inovative në prokurimin publik, rishikimi i sistemit kombëtar të prokurimit në përputhje me zhvillimet ndërkombëtare dhe përcjellja e tendencave aktuale janë ndër përparësitë e institucionit tonë. Të bëhesh pjesë e këtij rrjeti është gjithashtu një reflektim i këtyre përpjekjeve. Bashkëpunimi me institucione të ngjashme të vendeve të tjera në këtë fushë është i rëndësishëm për zhvillimin e sistemit tonë të prokurimit publik. Shpresoj që procesi i bashkëpunimit të iniciuar me nënshkrimin e këtij memorandumi bashkëpunimi, do të jetë i dobishëm për të gjithë palët e interesuara dhe se aktivitetet e rrjetit do të kryhen në motivim dhe harmoni.” – theksoi z. Güleç gjatë fjalimit të tij.

Ndërkohë, Myzyri në fjalën e tij u shpreh, se ndihej i nderuar që ndodhej në Ankara, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik të Republikës së Shqipërisë, por edhe si drejtues i Rrjetit të Organeve Shqyrtuese të Prokurimeve Publike të Evropës Juglindore për vitin e parë, për të nënshkruar anëtarësimin e Republikës së Turqisë, në rrjetin e parë të OSHP-ve të Evropës Juglindore dhe se emocionet e tij ishin edhe më të mëdha, që ky moment i rëndësishëm ndodhi pikërisht në vitin e udhëheqjes së Shqipërisë, si shtet themelues dhe anëtar i këtij rrjeti.

“Marrëdhënia shqiptaro-turke është një marrëdhënie e veçantë, shumëdimensionale, me rrënjë të thella në histori, pa kushte, në fusha të ndryshme, ekonomi, art, kulturë, dhe sot ndihem i nderuar që po themelojmë dhe po nisim një kapitull të ri bashkëpunimi, në shkëmbimin e eksperiencave edhe në prokurimin publik ndërmjet dy vendeve.

188 ditë më parë, Shqipëria, Kosova, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Rumania, Bosnja dhe Hercegovina, u bashkuan në hapësirën e një ëndrre për të bashkëthemeluar Rrjetin e Organeve Shqyrtuese të Prokurimit të Europës Juglindore.

Në ADN-në e rrjetit është pranimi i nevojës për të përcaktuar dhe ndarë vlerat e bashkëpunimit të ndërsjellë, duke shprehur rëndësinë e shkëmbimit të informacionit lidhur me përvojat e rishikimit në fushën e prokurimit publik.

Objektivi ynë është i qartë, forcimi i bashkëpunimit dhe shkëmbimi i përvojës, opinioneve dhe ekspertizës, njohurive të posaçme mbi tema të veçanta ligjore në fushën e prokurimit publik. Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu, vendet e Ballkanit Perëndimor, vendet kandidate dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Turqia, për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe për të mësuar nga praktikat më të mira dhe nga gabimet tona. Gjatë këtyre 188 ditëve, Autoriteti i Prokurimit Publik të Republikës së Turqisë, ka qenë bashkëpjesëmarrës në shumë evente të rëndësishme, duke nisur që nga themelimi i rrjetit, organizimi i një workshop-i të përbashkët me Agjencinë Kombëtare të Antikorrupsionit të Republikës së Italisë (ANAC), dhe diskutimi në nivel teknik i vendimmarrjeve të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në tryezën e përbashkët në Republikën e Rumanisë”, ka theksuar Myzyri.

Myzyri më tej gjatë fjalës së tij tha se kontributi i Republikës së Turqisë ka qenë një vlerë e shtuar për sa i përket mësimit të praktikave të mira, por edhe sfidave që ndajnë sot të gjitha vendet.

“Sot për ne si Shqipëri, por edhe për rrjetin është një ditë e rëndësishme në kalendarin tonë, sepse me anëtarësimin tuaj sot rrjetit i bashkohet eksperienca 21 vjeçare e autoritetit dhe ndërkohë një nga autoritetet me numrin më të madh të trajtimit të ankesave, kjo edhe për faktin e vetë tregut të prokurimeve në Turqi. Të gjitha vendet tona së bashku, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnje-Hercegovina, Sllovenia, Rumania, Kroacia dhe Turqia, ndajnë jo vetëm marrëdhënie të mira fqinjësore, shkëmbime të rëndësishme tregtare, por edhe ndërveprimin e operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit, vlera kulturore dhe historike, ngjashmëri në legjislacion për shumë prej nesh dhe sfidën e anëtarësimit në BE, por edhe synimin e përbashkët: luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e klimës së biznesit.” u shpreh Myzyri.