E shokuar nga krimi i rëndë që kishte kryer bashkëshorti i saj xheloz Taulant, u dëgjuan britmat e Tefta Malajt që thoshte: “Çfarë ke bërë? Çfarë ke bërë?” Kjo u zbulua nga video e filmuar nga autori pas krimit që tregonte Tefta Malajn, e cila ndodhej pranë trupit të vdekur të vajzës së saj 16 vjeçare, e cila i doli përpara babait të nevrikosur për të mbrojtur nënën, por ndërroi jetë prej goditjes me thikë.
Tefta Malaj e cila u plagos 6 herë me thikë, ndodhet ende në gjendje shoku, e shtruar në spital në Foggia, ku është jashtë rrezikut për jetën. Sot pritet të merret në pyetje për të zbardhur arsyet përse burri i saj u bë xheloz për italianin, të cilin e vrau me 20 plagë me thikë.
39-vjeçarja ishte shtëpiake, por herë pas here punonte si kujdestare për disa të moshuar në Torremaggiore. Ajo përshkruhet si një person i qetë që e donte vajzën e saj Xhesika dhe djalin e saj 5-vjeçar.
“Një zonjë e respektuar. Nuk kemi dëgjuar kurrë ndonjë sherr nga shtëpia e tyre. Përshëndeteshim kur dilte për të bërë pazar. Ishte një zonjë e rezervuar dhe shumë e sjellshme.”, thotë një fqinj.
Ata që e njohin vazhdojnë të vënë në pah dashurinë e saj për familjen e në veçanti për dy fëmijët e saj.
“Ajo ishte shumë e lidhur veçanërisht me Xhesikën. Ata ishin shumë në harmoni me njëri-tjetrin, të lidhur nga një dashuri e veçantë. Gjithashtu sepse vajza nuk i kishte krijuar asnjëherë probleme. Ishte një vajzë shumë e mirë, si në shtëpi ashtu edhe në shkollë”, thotë një i njohur.
Askush nuk flet për probleme të dukshme brenda çiftit, si dhe për një lidhje të mundshme jashtëmartesore pasi i shihnin gjithmonë duke dalë si burrë e grua.
Si ndodhi ngjarja e rëndë
45-vjeçari xheloz, Taulant Malaj është autori i dy vrasjeve të rënda. Fillimisht vrau në hyrjen e pallatit fqinjin italian Massimo De Santis, të cilin e goditi me rreth njëzet goditje me teh çelësi. Ai u qëllua në gjoks, bark dhe kokë: nuk kishte shpëtim për të. Më pas shkoi në shtëpi për të vrarë gruan, por ishte vajza që i doli përpara babait të cilin po përpiqej ta ndalte por mbeti e vdekur. Djali 5 vjec ishte fshehur pas divanit dhe nuk u lëndua ndërsa Tefta u plagos. Ishte vetë ajo që ngriti alarmin duke njoftuar policinë që ndaluan shqiptarin ende të gjakosur.
Pas krimit të rëndë shqiptari ka xhiruar me celularin e tij një video menjëherë pas atentatit, duke filmuar fillimisht trupin e pajetë të burrit dhe më pas ka filmuar vajzën e tij dhe gruan e tij në gjendje gjysmë të ndërgjegjshme. Videoja i është dërguar nga burri një bashkatdhetari me banim në Italinë veriore i cili ka lajmëruar menjëherë policinë lokale dhe me shumë gjasa ua ka dërguar pamjet edhe personave të tjerë të identifikuar, të cilët nga ana e tyre kanë shpërndarë videon nëpërmjet internetit.
Arsyeja e këtij krimi ishte se 45-vjecari bukëpjekës shqiptar kishte dyshime se italiani dhe gruaja e tij kishin një lidhje intime.