Fredi Beleri do të dalë të hënën para Gjykatës së Posaçme. Dosja e Fredi Belerit, i cili është në burg për blerje votash, i ka kaluar SPAK dhe të hënën në orën 13:00 do të mbahet seanca e parë në GJKKO. Gjyqtare e çështjes është Atalanta Zeqiri.
Fredi Beleri, i akuzuar për blerje të 8 votave për 40 mijë lekë, do të qëndroj në masën e sigurisë “arrest në burg”, dhënë nga Gjykata e Vlorës, e cila pas vendimit shpalli mos kompetencë dhe dosja hetimore tashmë kalon në SPAK. Në burg është lënë edhe Pandeli Kokaveshi i akuzuar si bashkëpunëtor i Belerit në blerjen e votave të qytetarëve në Himarë. E pranishme në seancë ishte edhe ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi. Report Tv mëson se në sallën e gjyqit, kandidati i Berishës dhe Metës që kërkon një mandat në Himarë, deklaroi se nuk ka lidhje me akuzën. Beleri pretendoi para trupës gjykuese se në lokal, momentin kur u arrestua nga agjentët e policisë, ishte me të afërm të tij dhe se me lekët nuk kishin qëllim blerjen e votave.
Pazaret për blerjen e votave çuan në pranga kandidatin e koalicionit Berisha- Meta për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri një ditë më parë (12 maj) . Ai u arrestua bashkë me truprojën e tij Panajot Kokoveshi, pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët e Belerit dhanë 40 mijë lekë për votat e 8 personave. Kartmonedhat u sekuestruan ndërsa pas arrestimit, disa qytetarë nga Himara thanë se Beleri u ka ofruar deri në 10 mijë lekë për votë, por ato nuk i kanë marrë.