Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, ka mbajtur ditën e mërkurë fjalën e saj përshëndetëse me rastin e 110-Vjetorit të themelimit të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.

Gjatë Konferencës Ndërkombëtare të nivelit të lartë me temë “Praktika gjyqësore e Gjykatës së Lartë nga identiteti kombëtar tek vlerat universale”, organizuar me rastin e këtij përvjetori të rëndësishëm të kësaj Gjykate, në Hotel “Rogner”, Kryetarja Zaçaj fillimisht shprehu urimet në emër të të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në këtë veprimtari të rëndësishme të Gjykatës së Lartë duke u ndalur në kontributin e kësaj Gjykate në krijimin e identitetit tonë kombëtar institucional, duke e zhvilluar atë drejt vlerave universale të së drejtës.

Gjatë fjalimit të saj znj Holta Zaçaj u ndal në parimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, si një nga shtyllat qëndrore të shtetit të së drejtës të cilin e ka trajtuar Gjykata Kushtetuese. Ajo u shpreh: “Kjo pavarësi, nuk është favor dhe as privilegj, por përgjegjësi dhe detyrë për gjyqtarët. Ajo imponohet nga vetë të drejtat e njeriut dhe është parakusht për të garantuar që arbitri është i paanshëm siç deklarohet edhe në Kushtetutë. Varësia absolute e gjyqtarit është vetëm ndaj ligjit dhe kjo është në fakt paradigma për legjitimitetin e kësaj pavarësie.”

Në vijim të fjalës së saj përshëndetëse Kryetarja Zaçaj theksoi me forcë se duhet të jemi ambiciozë dhe kurajozë kur flitet për shtetin e së drejtës si gur themeli i një shoqërie të drejtë dhe demokratike. Ai siguron që individët dhe institucionet të jenë përgjegjës për veprimet e tyre, që mosmarrëveshjet të zgjidhen në mënyrë të drejtë dhe transparente në mbrojtje të të drejtave të njeriut.

“Pa shtetin e së drejtës ne rrezikojmë të kemi një shoqëri ku pushteti abuzon apo i shmanget ligjit dhe më të fuqishmit veprojnë pa u ndëshkuar. Kjo jo vetëm që minon parimet e së drejtës, por, gjithashtu gërryen besimin e publikut tek institucionet që synojnë t’i mbrojnë”- u shpreh znj. Zaçaj.Në përfundim të fjalës së saj ajo tha se pavarësia, paanshmëria dhe integriteti i sistemit të drejtësisë janë parakushte thelbësore për ekzistencën e çdo shoqërie të shëndoshë dhe demokratike dhe çdo përpjekje për të rrezikuar pavarësinë e gjyqësorit është një shqetësim i thellë që duhet të na preokupojë të gjithëve. Askush nuk mundet dhe nuk duhet të jetë mbi ligjin, as vetë gjyqëtaret. Asnjë qeveri, asnjë ligjvënës, asnjë politkbërës, asnjë nëpunës nuk mund të shihet si i cliruar nga përgjegjësia kur detyrimet burojnë nga ligji dhe ai duhet të jetë i njëjtë për të gjithë dhe para tij të gjithë janë të barabartë. Një sistem i drejtë gjyqësor është një shenjë dalluese e çdo qytetërimi të zhvilluar.