Chelsea i Frank Lampard u rikthye te tre pikëshi në ndeshjen e fundit të Premier League teksa “Blutë e Londrës” mposhtën me shifrat 1-3, Bournemouth.

Sfida e radhës për të besuarit e trajnerit Frank Lampard është në Stamford Bridge përballë Nottingham Forest që luan për të siguruar mbijetesën në elitën angleze. Para kësaj sfide, tekniku Lampard surprizoi jo pak lojtarët duke qenë se në seancën stërvitore prezent ishte edhe kapiteni i Chelseat U 14, Charlie Holland.
Ky i fundit shijoi disa orë magjike duke u stërvitur pranë emrave si Thiago Silva, Joao Felix, Raheem Sterling dhe yjeve të tjerë pjesë e organikës së Chelseat. Holland u pa mjaft familjar me Conor Gallagher, një tjetër djalosh i cili vjen nga akademia e “Bluve të Londrës”.

Zgjedhja e trajnerit Lampard për të afruar djaloshin e akademisë në ekipin e parë nuk është e rastësishme pasi edhe në eksperiencën e parë në krye të Chelseat, ish-mesfushori gjeti mundësinë për t’i dhuruar hapësirë emrave si Mason Mount, Fikayo Tomori, Tammy Abraham apo edhe Armando Broja.
Ndërkohë, sipas mediave britanike, zgjedhja e Lampard shkon edhe si një mesazh për presidentin Todd Boehly i cili pas emërimit në krye të Chelseat është treguar “dorëlëshuar” teksa në merkaton e verës dhe atë të janarit, klubi ka shpenzuar plot 600 milionë paund ndërsa janë shfaqur edhe problemet e para financiare.