Drejtuesi politik i PS-së për Qarkun e Elbasanit, Damian Gjiknuri ka reaguar pas kallëzimit që kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ka bërë në prokurori ndaj zyrtarëve të PS ku i akuzon për blerje votash.
Sipas Gjiknurit, Boçi pranoi publikisht kapitullimin dhe se kallëzimin e bëri për të ndërtuar alibinë e humbjes. Në një postim në rrjetet sociale, Gjiknuri iu bën thirrje shtabeve zgjedhore të PS dhe trupës zgjedhore, anëtarëve të KZAZ, KQV, GNV të mos intimidohen dhe të respektojnë ligjin në çdo hap.
Më tej, deputeti socialist shton se Luçiano Boçi duhet “të japë llogari para organeve të drejtësisë përse strehon në makinën e tij persona me precedent penal ndërkombëtar në trafikun e drogës si shtetasi I.SH. apo personazh tjetër i botës së krimit si shtetasi M.D. me të cilët lëviz kryesisht natën nëpër lagje e fshatra të Bashkisë së Elbasanit”.