Financieri Jeffrey Epstein, i cili kreu vetëvrasje në qelinë e tij, ndërsa ishte në pritje të gjyqit për trafikim seksual të fëmijëve, ka kërcënuar Bill Gates dhe ka tentuar ta shantazhojë atë nëpërmjet e-mailit për lidhjen e tij jashtëmartesore me një vajzë ruse.
Kjo është zbuluar nga raporti i fundit i publikuar nga Wall Street Journal, në një seri artikujsh mbi rrjetin e kontakteve të Epstein.
Pasi zbuloi lidhjen e supozuar të bashkëthemeluesit të Microsoft me Mila Antonova, në vitin 2010 kur ajo ishte njëzet vjeç, Epstein i kërkoi Gates që t’i rimbursonte “shpenzimet” që ai pretendoi se i kishte bërë për vajzën në një shkollë programimi softuerësh.
Sipas WSJ, kjo ndodhi pasi nuk arriti të bindte Gates që të mbështeste financiarisht një fondacion, të krijuar për të rivendosur reputacionin e tij të dëmtuar nga hetimet për abuzime seksuale me të miturit.
Shkrimi i WSJ është ripublikuar sot në shumë media të SHBA dhe europiane.