27 Maj, Tiranë- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, së bashku me shefat e shërbimit të Spitalit Qendor në QSUT, kanë inspektuar Shërbimin e Imazherisë, Mjekësisë Nukleare, Fizoterapisë dhe Farmacisë në spitalin e ri.
Manastirliu ka vënë theksin tek dy shërbimet e rëndësishme, ai i imazherisë dhe mjekësisë nukleare, të cilët, falë pajisjes me aparatura të fjalës së fundit të teknologjisë po ofrojnë shërbim më cilësor dhe më të sigurtë për pacientët dhe stafin mjekësor.
“Projektimi i Spitalit Qendror është bërë me largpamësi, tashmë ka vendosur baza shumë të mira për të rritur kapacitetet sa i përket diagnostikës imazherike dhe asaj intervencionuese. Ne sot kemi një shërbim imazherie dhe mjekësisë nukleare, që i përgjigjet të gjithë nevojave bazë që kanë shërbimet specialistike. Gama e aparaturave që ne kemi në QSUT nga ekzaminimet bazë tek ato më të thelluarat si skaner, angioskaneri, tek rezonanca magnetike, por edhe tek spek-CT apo spek, të cilat janë aparatura që punojnë me lëndë radioaktive, ne na siguron që këto protokolle të jenë të kompletuara dhe ne të garantojmë një siguri të lartë për diagnostikimin dhe trajtimin e pacientëve që vuajnë nga sëmundje malinje apo dhe nga sëmundje të tjera”,- theksoi Manastirliu.
Duke u ndalur tek shërbimi i fizioterapisë, Ministrja Manastirliu theksoi se kjo qendër do të shërbejë si reference për zhvillimin dhe ngritje e shërbimeve të reja të rehabilitimi dhe riaftësimit në kujdesin parësor apo spitalet rajonale.
“Qendra e riaftësimit dhe rehabilitimit me profesionistë te dedikuar i shërben jo vetëm strukturës tonë universitare por edhe studenteve dhe specializantëve. Bazuar në Strategjinë Kombëtare të Ministrisë së Shëndetësisë kemi në fokus zgjerimin dhe ngritje e shërbimeve të reja të rehabilitimi dhe riaftësimit në kujdesin parësor dhe spitalet rajonale duke përfshirë figurën e fizioterapistit dhe logopedit në gjithë vendin. 10 mijë qytetarë të shërbyer në vetëm një qendër është një volum pune i madh që ju kryeni”,- tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu nënvizoi se me farmacinë në Spitalin Qendror janë krijuar kushtet sa i përket mjekësisë nukleare, për lëndët radioaktive të cilat ruhen sipas standarteve të sigurisë.
“Kemi këtu një strukturë të farmacisë që komunikon me depon qëndrore, një strukturë që tashmë i shërben Spitalit Qendror dhe ruan në mënyrë specifike të gjithë terapitë dhe barnat të cilat përdoren nga spitali. Janë krijuar kushtet që përsa i përket mjekësisë nukleare, radionuklidet, sikurse janë lëndët radioaktive, të jodit, tekneciumit, të cilat vijnë për trajtimin e pacientëve të munden të ruhen në kushte shumë të mira, nga ana tjetër të ruhet dhe gjithë siguria përsa i përket stafit dhe pacientëve”,- nënvizoi Manastirliu.
Drejtuesit e Shërbimeve Universitare Dr. Durim Çela, Shef i Shërbimit të Mjekësisë Nukleare dhe Imazherisë, Prof. Artan Goda, Shef Shërbimi i Kardiologjisë, Prof. Agron Ylli, Shef i Shërbimit të Endokrinologjisë kanë vlerësuar vendosjen e ketyre shërbimeve në Spitalin Qendror, i cili do të sigurojë shërbim më të mirë për pacientët.
Në Spitalin Qendror ku është transferuar shërbimi i mjekësisë nukleare dhe imazherisë po ofrohet shërbim me aparatura të teknologjisë së lartë si: Angioscaneri coronar i cili realizon ndërhyrjet për pacientet me sëmundje kardiake, ekzaminime me kontrast për pacientët dhe angio-ct. Njesia e mjekësise nukleare, si pjesë shumë e rëndësishme për trajtimin me jod radioaktiv apo ekzaminimet e shintigrafive me teknecium si shintigrafi e gl.tiroide, paratiroide, shintigrafi renale, shintigrafi e kockave ofron siguri maksimale për pacientët dhe stafin mjekësor. Në këtë shërbim ka ekografie të sofistikuar me disa sonda për marrjen e tipeve të ndryshme të biopsive si biopsitë e gl. tiroide heparit, renale, masat abdominale etj. Shërbimi citologjisë ofron gl tiroide dhe biopsite tru-cut te gjirit. Shërbimi imazherisë është pajisur me ekografi për kryerjen e ekoddopler dhe aparaturën e DEXA-as për matjen e desimetrisë kockore. Në Shërbimin e Imazherisë dhe Mjekësisë Nukleare realizohen 200,000 ekzaminime në vit.