29 Maj, Tiranë- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka inspektuar nga afër kabinetin e ri dentar në shkollën 9-vjeçare “28 Nëntori” në zonën e Laprakës, që shërben rreth 1 mijë fëmijëve të kësaj zone. Manastirliu theksoi se investimi në kabinetet e reja dentare do të vijojë edhe këtë vit.
“Gjatë vitit 2022 ne kemi arritur që në shkollat e Tiranës dhe në shkolla të qarqeve të tjera në Durrës, Elbasan, Shkodër të instalojmë 18 unite dentare. Më shumë se 116 fëmijë nëpërmjet programit të dentistrisë kanë përfunduar depistimin falas përsa i përket kujdesit të dhëmbëve në shkolla dhe nga ana tjetër më shumë se 40% e tyre janë nxënësit që kanë marrë edhe ekzaminim apo kunsultë falas në shkollë, duke bërë që të kujdesemi më shumë për shëndetin e fëmijëve. Për vitin 2023 ne do të vijojmë programin e dentistrisë dhe do të jenë 18 unite të reja dentare të cilat do të shpërndahen në të gjithë shkollat e vendi”,- tha Manastirliu.
Në shkollën “28 Nentori” Ministrja Manastirliu pa nga afër edhe depistimet për programin e shikimit, ku vlerësoi rëndësinë e këtij programi në raport me shëndetin e syve tek fëmijët në shkolla.
“Është shumë e rëndësishme që në procesin e depistimit dhe të shikimit ne të kemi dhe japim gjithmonë një informacion për prindin pra duke qenë se kemi kryer tashmë mbi 130 mijë depistime dhe ka një shifër, e cila është domethënëse, sepse janë 10-13% e fëmijëve të cilët kontrollohen për shikimin, të cilët duhet të vlerësohen nga mjeku specialist dhe ky është një moment që ne na ka bërë që të vlersojmë akoma më shumë këtë program”,- tha Manastirliu.

Programi i shërbimit stomatologjik shkollor dhe ai i kujdesit për shikimin, i’u shërbejnë rreth 230 mijë fëmijëve të grupmoshës 6-14 vjeç. Pas ngritjes së 18 kabineteve të reja dentare në shkollat e Tiranës, Elbasanit, Shkodrës dhe Durrësit, prej muajit shkurt ka nisur edhe ofrimi i një shërbimi të ri dentar për fëmijët e shkollave, kryesisht ne zonat rurale, me dy Njësi të Lëvizshme Dentare, ku janë kryer rreth 5 mijë depistime, teksa do të vijojë zgjerimi i këtij shërbimi me 18 kabinete të reja dentare gjatë 2023 edhe në qarqe të tjera të vendit.