Presidenti i Republikës Bajram Begaj tregon se ka marrë një kërkesë nga ana e Ministrisë për Evropën dhe Punëve të Jashtme, për marrëveshjen e detit Shqipëri – Greqi.
Gjatë vizitës së tij në Poloni, ku takoi homologun Andrzej Duda, Begaj u pyet nga gazetarët për çështjen e detit. Presidenti u shpreh se vlerëson kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila bazohet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010.
“Si President i Republikës në zbatim të detyrimeve kushtetuese, këtë kërkesë e vlerësoj me seriozitetin më maksimal dhe besoj që është një çështje që duhet të gjejë zgjidhje. Zgjidhja e saj është e bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, në aktet e ligjet ndërkombëtare, në marrëveshjet ndërkombëtare, në ligjet e brendshme, por edhe në rregullat e fqinjësisë së mirë dhe të reciprocitetit.
Greqia është një partner strategjik i yni, por është edhe një partner i rëndësishëm ekonomik. Kemi komunitetin shqiptar në Greqi dhe komunitetin grek në Shqipëri që janë ura të forta lidhëse të kësaj miqësie dhe këtij bashkëpunimi”.
Begaj tregoi më tej se ka zhvilluar disa takime me kryeministrin Edi Rama, ku pjesë e diskutimeve ka qenë kjo çështje.
“Me kryeministrin Rama jam takuar disa herë dhe çështjet që unë kam diskutuar kanë qenë publike. Janë diskutuar tema të lidhura me sigurinë kombëtare, janë diskutuar çështje të lidhura me shërbimin e jashtëm. Komunikimi është institucional, shumë i mirë, besoj që është pozitive mënyra se si takohemi dhe diskutojmë për çështjet në përgjithësi”.