Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka folur për gazetarët lidhur me marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Mbretërisë së Bashkuar për transferimin e të burgosurve shqiptarë në vendin tonë. Manja tha se çdo kosto do të mbulohet nga Britania, madje edhe kostot për vuajtjen e dënimit në burgjet e Shqipërisë. Ai tha se në këtë mënyrë të burgosurit shqiptarë do të kenë mundësinë që të takohen me të afërmit, që shumë prej tyre kanë vite që nuk i kanë takuar. Ndërkohë, për ata të burgosur shqiptar që nuk do të japin pëlqimin e tyre, s’do të ketë transferim.
“Ne kemi një marrëveshje të arritur me Britaninë për transferimin e të dënuarve. Është një marrëveshje teknike që plotëson marrëveshjen e ratifikuar në kuvend në vitin 2021. Kriteret për transferimin janë të përcaktuara në marrëveshjen që është në fuqi në 2021. Marrëveshja ka si qëllim kryesor që këta shtetas shqiptar ta vuajnë pjesën e vuajtjes së dënimit pranë familjarëve dhe të afërmve të tyre. kemi të dënuar që për vite me radhë s’kanë kontakte me familjarët. Kjo marrëveshje bën të mundur që brenda kapaciteteve që ne kemi, të vijnë ta vuajnë dënimin në Shqipëri. Shpenzimet dhe kostot do të përballohen nga Britania për çdo ditë të qëndrimit dhe vuajtjes së dënimit në Shqipëri.
Dua të jemi qartë, marrëveshja parashikon kohëzgjatje dy vjeçare, me opsion për tu riparë pas dy vjetësh. Numrit të shtetasve shqiptarë që do duan të vijnë, do nisemi nga kapacitete tona, nuk ka numër fiks, kjo do të jetë në varësi të vendeve që kemi në sistemin tonë. Ka marrë përsipër të na ndihmojë për shtimin e kapaciteteve tona. Është një projekt dyvjeçar që merr përsipër edhe krijimin e kapaciteteve të tjera. Çdo i dënuar jep pëlqimin para transferimit, nëse dëshiron që ta vuajë dënimin në Shqipëri. Nëse nuk jep pëlqimin nuk përfshihet në listë”, tha Manja.