Nga Mero Baze/
Kuvendi i Shqipërisë është vënë nën akuzë pas ngritjes së përgjithshme të rrogave, ku përfshihen dhe rrogat e deputetëve, të cilat për hir të së vërtetës prej vitit 2001 nuk kishin pasur ngritje zyrtare, por kanë pasur rritje të tërthortë përmes bonuseve, të cilat janë edhe të patatueshme.
Nëse rroga e deputetit ka qenë 165 mijë lekë të reja, afërsisht 1500 euro në muaj, ai ka pasur dhe rreth 500 euro në muaj bonus fiks, që jepej për transport dhe telefona dhe pastaj sipas rasteve, dieta udhëtimi dhe hotelerie, që për disa deputetë shkojnë gati sa rroga mujore. Problemi ishte se çdo qeveri, nën presionin e populizmit, nuk ka guxuar të rrisë rrogën zyrtare të deputetit dhe ka bërë marifete të tilla si bonusi i pataksueshëm dhe shpenzime të tjera. Me këtë rast, Kuvendi duhet të rishikojë heqjen e bonuseve dhe të lërë vetëm shpenzimet konkrete të deputetit, në funksion të punës në zonën elektorale.
Paga e deputetit nuk është dëmi që deputeti i shkakton shtetit. Dëmi më i madh është që deputeti të mos i dalë zot shtetit dhe ligjeve dhe të kapet nga faktorë të tjerë kriminalë, apo lobistë që duan të kapin shtetin përmes ligjeve. Ai është një krim i pandëshkueshëm dhe plagë e pashërueshme, që deputeti mund t’i hapë shtetit, dhe jo pesha e pagës së tij në buxhetin e shtetit. Madje kjo vlen dhe për partitë politike. Sot ankohemi se biznesmenë të mëdhenj apo persona “non grata” po kapin partitë politike, dhe elektoratin gri të vendit, ndërkohë që fushata e fundit elektorale shkoi deri në ditën e zgjedhjeve pa u dhënë asnjë lek partive. Por nëse shteti nuk i financon partitë të jenë të barabarta në fushatë, natyrisht që pastaj terrenin do ta fitojnë ata që kanë para dhe akoma më shumë, ata që kanë para të padeklaruara.
Kostua më e ulët e një deputeti dhe një partie është që ajo të paguhet nga shteti dhe t’i shërbejë interesit publik. Kostua më e lartë është që shteti të bëjë sikur i paguan dhe në fakt t’i paguajë mafia, duke kapur shtetin përmes tyre. Ndaj është mirë që një akt madhor si rritja e pagave të gjykohet sa i dëmshëm apo sa i mirë është për ekonominë, si ndikon në inflacionin e vendit, a kemi fuqi t’i përballojmë dhe a kemi rritjen e duhur ekonomike që kjo të kthehet në një të mirë publike, dhe debate të tjera të natyrës profesionale.
Deputeti nuk është një njeri i rrezikshëm se paguhet shumë nga shteti, por është një njeri shoqërisht i dëmshëm, kur paguhet për të blerë shtetin. Në çdo vend të botës rritja e pagës rrezikon rritjen e inflacionit, borxhit publik, apo destabilizim të parametrave të tjerë financiarë, ndaj shikohet me shumë kujdes. Tek ne deri tani ka rritur vetëm populizmin. Atë e kemi pasur dhe kur kishim rroga të ulëta.