Vetëm pak orë para nisjes së votimit për zgjedhjet e 14 majit, një 41 vjeçar është arrestuar nga policia në Krujë pasi është kapur me listë emrash dhe para në dorë me qëllimin për të blerë vota në favor të koalicionit Berisha-Meta. Bëhet fjalë për Bedri Muratin i cili ka precedentë të theksuar kriminalë.

Gjatë kontrollit që policia ushtroi në mjetin e tij tip “Volkswagen”, i janë gjetur dhe sekuestruar shumat e parave prej 69 000 lekësh te rinj dhe 50 eurosh, si dhe një listë të zgjedhësve në njësinë administrative Cudhi, Krujë, listë në të cilën ishin të rrethuar emrat e votuesve të cilëve dyshohet se iu kishte dhënë para në këmbim të votës në favor të kandidatit për kryetar bashkie, Agron Loka i cili kandidon nën siglën e koalicionit Berisha-Meta, si dhe një shënim me 3 qendra votimi, në Cudhi, Krujë.

Pas arrestimit të tij, u verifikua se Bedri Murati ka qenë i dënuar më parë për veprat penale “Kultivimi i bimeve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.