Nga Rudina Xhunga/

Sot “Tregimi i ditës” ka të bëjë me një ngjarje elektorale dhe me një proces gjyqësor, që po ndodhin paralelisht, për turpin tonë. Personat që përfshihen në procese gjyqësore, në pritje të një vendimi, nuk mund të përfshihen edhe në paradën elektorale. Këta persona para se të jepet gjykimi janë të pafajshëm, por në dijeninë e shumëkujt që e di çfarë është Gërdeci, ata kanë faj, qoftë edhe për faktin që nuk kanë folur, që kanë heshtur duke e ditur shumë mirë çfarë po ndodhte në atë vend. Kur ti ke vrarë ne Gërdec, nuk mund të shkosh të kërkosh votën më Kamëz, siç ndodhi sot. Fatmir Mediu, ish-ministri i Mbrojtjes në kohën kur ndodhi Gërdeci, ku u vranë 26 njerëz të pafajshëm mes tyre edhe fëmijë, të cilët nuk hoqën dorë asnjëherë nga të afërmit e tyre, por hoqën dorë së kërkuari të drejtën. Nuk rikthehen të vdekurit, por nëse dënohen të gjallët, atëherë ti ndihesh pak më i lehtësuar përballë tyre. Njeriu që vazhdon, nuk heq dorë, që është burim frymëzimi për çdo grua, burrë, e çdo shqiptar, është Zamira Durdaj. Unë i përulem asaj.

I puth dorën Zamira Durdajt, gruas së rrallë shqiptare, e cila me urtësinë dhe këmbënguljen që vetëm Nënë Tereza na e ka mësuar, vazhdon të kërkojë deri në fund të drejtën për vrasësit e djalit të saj, Erit të pafajshëm, i cili atë ditë i kishte marrë biçikletën borxh vëllait e po shkonte me një shok, të çonte bukë, pa marrë leje nga prindërit. Para se te vdiste i kërkoi nënës falje, që iku pa leje, që mori biçikletën. Sepse fëmijët e edukuar mirë edhe para se të vdesin kërkojnë falje, ndërsa fëmijët e mëdhenj, të edukuar keq, që janë rritur në një familje ku të vjedhësh është mënyra sesi ty të edukojnë e mësojnë, ata vazhdojnë vjedhin të vegjël e të mëdhenj dhe nuk kërkojnë kurrë falje.

Mbasi vjedhin, vrasin, mbasi vrasin vjedhin prapë për të gjetur para që të paguajnë ata që mund t’i shpëtojnë nga vrasja. Edhe nëse nuk i kanë bërë të gjitha këto, ata heshtin duke e ditur kush e ka bërë. Heshtja është një lloj bashkëpunimi. I tillë është rasti i Fatmir Mediut. Mediu është i përfshirë në tragjedinë e Gërdecit dhe shumë të tjerë pas tij. Por ai ishte ministri i Mbrojtjes dhe të largohesh nga kjo histori pa u lagur është e pabesueshme. Fatmir Mediu është në SPAK, por dhe aty hyn e del, buzëqesh, thotë s’kam lidhje, avokatët një herë shkojnë një herë jo, gjithmonë shtyhen seancat. Do vije një ditë që do jepet një vendim për Mediun, deri sa të harrohet fare dhe njerëzit të pyesin se çfarë është Gërdeci, se nuk do ia kenë idenë. Jeta bën të vetën, njerëzit harrojnë. Por unë kam besim se për sa kohe Zamira Durdaj të jetë gjallë, nuk do e falë kurrë gjakun e djalit. Ajo do jetë në çdo seancë, do presë me të njëjtën këmbëngulje të një nëne që i kanë marrë jetën e pafajshme të djalit. Zamira as nuk fal e as nuk e shet gjakun e djalit. I kanë propozuar para, pozicione, poste, mundësi për t’u futur në politike. Unë jam e sigurt se kanë bërë pazar me Zamirën edhe pse nuk ma ka thënë.

Por unë e njoh, edhe e di që ajo do i shkojë deri në fund kësaj çështjeje. Mendoj edhe e besoj që njerëz do të dënohen për Gërdecin. Nuk e di kur, por një dite do të ndodhë. Unë nuk e di çfarë bën KQZ-ja. Ilirjan Celibashi pse nuk mund ta ndalojë Fatmir Mediun të bëjë fushatë? Shikojnë e flasin për kandidatë për kryetarë bashkie me probleme dhe ndërkohë kemi një njeri në hetim që bën fushatë në Kamëz. Gjyqtarët e kërkojnë të përgjigjet për Gërdecin, Mediu bën fushatë në Kamëz, ndërsa KQZ-ja nuk flet. Këto çudi ndodhin vetëm në Shqipëri. Është një turp i jashtëzakonshëm. Teksa po lexoja një intervistë që pata bërë me Zamira Durdajn në maj të 2021-shit në DritareTv më bëri përshtypje kjo deklaratë e saj: “Nuk më shkonte asnjë herë ndërmend që do të ndodhte ajo tragjedi, sepse aty vepronte ushtria shqiptare. Aty nuk ka pasur municione, aty u mblidhen municionet nga të gjitha depot e Shqipëria. Dhe nuk na shkonte asnjë herë ndërmend që shteti shqiptar do të na e bënte këtë. Kur filloi ndërtimi na thoshin si fillim do të bëhet burg grash, rrobaqepësi, do të hapen vende pune.

Nuk e mendova asnjëherë që aty po ndodhte ai tmerr. Si mund ta mendoja kur në televizor shihja reklamën që për dy javë Shqipëria do të futej në NATO. Kjo ishte ajo që na gënjente, por në fakt ne duhet të kishim reaguar më herët. Kur erdhi Xhorxh Bush në qershor ata i larguan të gjitha dhe e boshatisën të gjithë vendin. Hoqën municionet dhe çdo gjë u pastrua. Kur Bushi ka fluturuar me avion për në Shqipëri, në atë zonë nuk ka pasur asgjë. Por këto i mendojmë më vonë. Këtu nuk ka vullnet për të zbardhur këtë tragjedi, sepse ajo ka ndodhur në mes të ditës është e filmuar, e regjistruar.” Në të gjitha dokumentet, intervistat, e provat, ti mund të gjesh faktet që të fajësosh njerëzit që e bënë atë masakër. Por ti nuk do t’i gjesh, prandaj Fatmir Mediu bën fushatë elektorale në Kamëz. Kjo që ndodhi sot është e turpshme. Kush ka mundësi duhet ta thotë me zë të lartë.