Kryeministri Edi Rama përfundoi turin e tij elektoral në veri dhe verilindje të vendit, ku socialistët pritet të marrin rezultate më të dobëta sesa në pjesën tjetër. Pas Shkodrës, ai ka qenë dje në qarkun e Dibrës ku shpresat për fitoren e kandidatëve socialistë janë ende të forta. Për shanset e socialistëve në veri të vendit foli edhe analisti dhe gazetari Mero Baze në “Tema e Ditës”.

Garën për Bashkinë e Shkodrës, Mero Baze e cilësoi si historike pasi bëhet fjalë për dy kandidatë që vijnë të dy nga e djathta. Ai përmenti një sërë faktorësh si problematikat brenda PD apo profilin e kandidatit të PS-së, Benet Beci, të cilat sipas tij, mund të përmbysin rezultatin në Shkodër.

“Është një garë të kandidatit të djathtë dhe të Benet Becit që ka edhe ndihmën e socialistëve. Ka edhe faktorë të tjerë që kanë ndryshuar gjeografinë elektorale të Shkodrës siç është lëvizja e një prej faktorëve të LSI që ka shkuar në koalicion me PD por edhe një grupim brenda partisë së djathtë në Shkodër, e cila ka pakënaqësitë e veta dhe këto mund të jenë një faktor që mund të ndryshojnë rezultatin.

Nga ana tjetër, edhe vetë profili i Becit si ish drejtor i Fondit të Zhvillimit i ka dhënë atij identitetin e njeriut që po sjell në Shkodër investime.“, tha Baze. Sa i përket qarkut të Dibrës, gazetari theksoi se PS është favorite në shumicën e bashkive.

“Kemi zhvillime në Dibër ku mendoj se shumica e bashkive mund të merret nga PS, bashkia e Peshkopisë, e Matit dhe Bulqizës. Klosi është në pikëpyetje. Ndërsa në Lezhë është më në favor “Baashkë Fitojmë”, ku ka të sigurt Laçin, në pikëpyetje Rrësheni dhe në garë Lezha“, shtoi Baze.