Nuk e di pse Sali Berisha ka hyrë në garë me Erion Veliaj në këtë fushatë. Ky i fundit ka kaq kohë që po përpiqet ta tërheqë, dhe mua më dukej përpjekje e kotë, por në fat rezultoi e suksesshme.
Në gjithë daljet e tij publike, Berisha ka objekt sulmi Veliajn, një taktikë që kam frikë se vet Erion Veliaj mund të paguante shumë që ta tërhiqte Berishën në këtë kurth. Edhe dje në emisionin “Opinion” kishte “investiguar” rreth Veliajt, që ka qenë në Iran i maskuar. Dhe nuk mjaftoi kjo, por e kërcënoi se ka dhe fakte të tjera më të thella për këtë gjë.
Në fakt, Veliaj ka disa javë që vet ka zgjedhur Berishën për kundërshtar, me arsyetimin se ai “i shkoi tek dera e bashkisë” dhe prej atëherë merret vetëm me Berishën, duke e lënë në hije Belindin, të numërojë rrugët me gropa dhe të premtojë çdo gjë falas që i shkon në mendje në Tiranë.
Të gjithë ata që duan të rrisin profilin e Belindit në fushatë, natyrisht janë të shqetësuar nga ky protagonizëm i tij, pasi jo vetëm që njehëson Belindin me një “non grata”, por i vret atij çdo shans për shtresën gri të kryeqytetit. Por me sa duket Berisha është i vendosur. Ai vazhdon të sillet si si kandidat për Bashkinë e Tiranës, siç e ka nisur këtë fushatë.
Meqë gjasat janë që do humbasë, nuk di a do ta marrë vetë përgjegjësinë apo do t’ia lërë Këlliçit, por e sigurtë është që ai po sillet siç do Veliaj. Madje dhe thotë pikërisht ato që i dikton Veliaj.
Nëse e ka nga mospërfillja e Ramës, e ka një justifikim, pasi lali Eri është gati të dalë në debat me të në vend të Ramës. Por kam frikë mos e ka ngaqë Belindit po i mbushet mendja që është ai kandidat. Dhe do t’i tregojë se atë, ose do ta pranojnë bashkë me Berishën, ose do vdesë bashkë me të.