Rafael Leao e vuajti shumë faktin që nuk luajti dot ndaj Interit. Njësoj si të gjithë tifozët e Milanit.
Të shohësh skuadrën duke humbur dhe të mos kesh mundësinë të japësh kontributin tënd, është diçka e vështirë për t’u pranuar.
ADVERTISING
Gjithsesi, Milani e ka edhe një mundësi për të siguruar kualifikimin në finalen e Champions League. Por, kuqezinjtë duhet të përmbysin humbjen 0-2 të sfidës së parë.
Ylli portugez ka lënë pas problemet fizike dhe të martën do të zbresë në fushë, me misionin për të thyer mbrojtjen zikaltër dhe për të tentuar deri në fund kualifikimin.
“Gjithçka në kohën e duhur, asnjëherë mos festoni përpara kohe”, shkruan sulmuesi i majtë në rrjetet sociale. Një mesazh i qartë për rivalët e përjetshëm.
Interi është shumë më afër finales, por te Milani nuk janë dorëzuar ende. Sidomos me Leaon në fushë, tek i cili do të jenë gjithë sytë dhe zemrat e popullit milanist. Me besimin se festa do të ndërrojë ngjyra në takimin e kthimit.