Fjalët e fundit në përfundim të fushatës elektorale kryesocialisti Rama, ka zgjedhur ti japë përmes një mesazhi në facebook.
“Për pak mbaron fushata ime e nëntë në krye të PS” -kështu e nis Rama postimin e tij, ndersa shprehet optimist në rezultatin e 14 majit, ku sic shkruan PS është në rrugën e fitores me rezultatin më spektakolar që nga viti.
Postimi i plote:
Kjo fushatë na ka hapur rrugën e fitores së tetë, pasnesër më 14 maj, me rezultatin më spektakolar të të gjitha zgjedhjeve vendore qysh nga viti 2007
Arsyet pse ne do të fitojmë shumë bindshëm janë më shumë se sa një. Por unë sonte po e mbyll kapakun e albumit të kësaj fushate me arsyen e madhe që ilustron kjo foto:
Sepse ne po ndërtojmë me vizion, ambicie, punë të palodhur, këmbëngulje e durim të madh, Shqipërinë e gjeneratës tjetër dhe këtë, shumica e shqiptarëve e dinë, e kuptojnë, e ndjejnë, prandaj edhe na votojnë, pavarësisht pakënaqësive, kritikave, rezervave që sigurisht kanë për ne
Ndërsa të tjerët, ata që nuk na kanë votuar asnjëherë, kanë nisur ta perceptojnë, ngadalë, nga pak, patjetër ende me shumë vështirësi, se nuk ka asnjë forcë tjetër që ka fuqinë dhe aftësinë t’i hapë rrugën të ardhmes së Shqipërisë së fëmijëve të tyre. Prandaj megjithëse përsëri nuk do të votojnë për ne, me përjashtime të vogla, do të jenë jo edhe aq të pakët këtë herë në radhët e tyre ata që do të mendohen dy herë, për ku do ta çojnë apo nuk do ta çojnë fare votën e tyre, për të mos u bërë palë me një të keqe që Shqipëria nuk ka më arsye ta pranojë! Dhe kjo sjellje e re e këtyre të fundit do të ndjehet në erën e fortë të fitores së 14 majit
Shumë faleminderit të gjithë atyre prej jush që ishin pjesë e kësaj cope të re të rrugës sonë drejt të ardhmes, që nga pjesëmarrësit në takimet e panumërta të kandidatëve, deputetëve, drejtuesve politikë apo tubimet e mia, tek kryetarët e anëtarët e çdo organizate, patronazhistët e paepur dhe aktivistët e palodhur, e deri tek të gjithë ata mbështetës, brenda apo jashtë vendit, që na dhuruan energji të çmuara përmes valëve të vëmendjes së tyre.