Ervin Skana 33-vjeç, është vënë në pranga të policisë së Tiranës pasi ka vjedhur kasafortën e babait të tij.

Sipas policisë, Skana dyshohet se ka vjedhur në banesën e babit të tij në rrugën “Riza Cuka”, kasafortën brenda së cilës kishte 27 200 euro, 11 000 paund, 910 000 lekë dhe aksesorë të ndryshëm floriri.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një pjesë e parave të vjedhura (10 530 paund dhe 27 030 euro).

Skana vodhi kasafortën e babait me pretendimin se kishte borxhe për të shlyer. Ky ka qenë qëndrimi i tij para hetuesve të Komisariatit nr. 3 në Tiranë, edhe pse nuk ka dhënë detaje të plota në lidhje me ngjarjen.

Denoncimi për humbjen e kasafortës me shuma të konsiderueshme parash të valutave të ndryshme u bë në policia nga i ati i Ervinit, Hamit Skana, i cili raportoi se nuk kishte asnjë dijeni mbi autorin, edhe pse nuk kishte pasur thyerje të banesës.

Policia u vu në lëvizje dhe brenda disa orësh, përmes verifikimit të dhjetëra kamerave të sigurisë, arriti deri në gjurmimin e autorit, i cili rezultoi të ishte vetë djali i shtëpisë.

Ervin Skana, në momentin e ndërhyrjes së policisë për ta arrestuar u kap me kasafortën me para në dorë.