Jack Grealish nuk e kafshon gjuhën e tij… Në një intervistë për “Daily Mail” bën një rishikim për vitet e tij të fundit, ardhjen te Manchester City, ‘fenomenin Haaland’, ndeshjen kundër Real Madridit në Champions League, prirjen për të festuar… Ai flet për gjithçka dhe për të gjithë.
Anglezi kujton ditët e para në skuadrën e Guardiolës, kohë kur gjithçka e befasonte: “Isha pak i trembur, pak i turpshëm në fushë. Njerëzit bërtisnin, Jack, forca! Dhe unë që thashë: Dreq o punë, është De Bruyne. Më mirë t’ia kaloj atij. A e dini çfarë, domethënë? Ai kishte qenë idhulli im”.
“Tripleta” dhe Real Madridi
Manchester City ka një sfidë të madhe në pjesën e fundit të sezonit. “Qytetarët” mund të fitojnë “tripletë” sezonale: Premier League, Champions League dhe FA Cup. Një sfidë e madhe. Për ta bërë këtë, në Champions League do të duhet të eliminojnë Real Madridin. Grealish ende kujton atë që ndodhi sezonin e kaluar në “Bernabéu”. Ai kishte një mundësi që mund të ishte përfundimtare, por dështoi. Dhe më pas erdhi përmbysja e “Los Blancos”. Anglezët nuk mund ta harrojnë atë lojë:
“Ishte e tmerrshme. Ajo që më shqetësoi më shumë ishte goli i tyre i dytë. Dani Carvajal e krosoi topin, unë ngrita këmbën për ta ndaluar, por ishte një punë e keqe. Ata shënuan dhe ne tashmë e dimë se çfarë ndodhi. Isha i shkatërruar, shumë i dëshpëruar.
Tani jemi në të njëjtin pozicion si vitin e kaluar në Evropë. Do të sfidojmë Real Madridin përsëri, jemi tri ndeshje larg fitores së Ligës së Kampionëve. Gjithçka që mund të them është se nuk kam pasur kurrë një besim të tillë te shokët e mi dhe vetja më parë”.
Lojtari i City mbron edhe karakterin e Guardiolës: “Të gjithë e shohin Pep si një trajner tiki-taka, por para ndeshjes kundër Bayern Munich në Champions League ai na tha: A e dini se si është të kesh topin? Të kesh ndeshjen nën kontroll, të luash me qetësi dhe siguri”.
Grealish është i mahnitur nga Haaland. Paraqitja e norvegjezit, i cili tashmë ka shënuar më shumë se 50 gola këtë sezon me “qytetarët”, është në një nivel të lartë, gjë që po merr lëvdata nga bashkëlojtarët e tij. Jack tregon se sa i përpiktë është Erling në përgatitjen e tij:
“Të gjithë janë të ndryshëm, apo jo? Shikoni Erling. Ai është profesionisti më i mirë që kam parë ndonjëherë. Mentaliteti i tij është diçka që nuk do ta shihni më. Ai i bën të gjitha. Ai pushon, rikuperohet, stërvitet në palestër… Dhjetë orë trajtim në ditë. Pastaj bën banja me akull, mban dietë strikte, prandaj është ai që është. Betohem që unë nuk mund të isha kështu.
Kemi një miqësi të madhe, por ai më tha pas një loje: “Hej, mos shko në festë sonte”. Unë i thashë të heshtë dhe të shkojë të ulet në vaskën e tij të akullit. Por kështu jemi…. Dy njerëz të ndryshëm bëjnë mirë sipas mënyrës së tyre. Ndonjëherë më pëlqen të dal dhe t’i lëshoj flokët”.