I pyetur nëse Sali Berisha duhet të vijojë të jetë pjesë e PD-së edhe nëse nuk do jetë kryetar, Roland Bejko e refuzoi kategorikisht si mundësi, duke thënë se koha e tij ka përfunduar.
Ai tha se çdo person i shpallur non-grata vetëm sa e dobëson Partinë Demokratike me praninë e tij dhe argumentoi se edhe në zgjedhjet vendore të 14 majit, u tregua se Berisha është refuzuar nga demokratët, duke marrë 200 mijë vota më pak se Basha dhe Kryemadhi.
“Nuk e di nëse duhet dikush me statusin non grata të rrijë si ai mishi malinj në trup të shëndoshë. PD duhet të jetë e zhveshur nga këto sentimente. Secili nga ne ka një kohë, të cilën e konsumon. Berisha duhet të shkojë në shtëpi se po i merr në qafë demokratët. Ka marrë 250 mijë vota më pak se Basha. Është në koalicion me Metën nëse heqim edhe 100 e ca mijë vota të Metës, i bie që Berisha të jetë njëjtë me PD-në. Ato vota që ka marrë Berisha janë marrë aty ku PD nuk ka pasur kandidatë për kryebashkiakë”- tha Bejko.
Sa i takon mundësisë së rikthimit të Bashkës në krye të PD, Bejko tha se ristrukturimi i partisë duhet të nisë me një plan organizativ dhe hapje ndaj forcave të tjera të djathta. Ai shtoi se të gjithë ata të cilët janë rreshtuar përkrah Berishës do ta braktisin sepse do të shohin se me të nuk mund të fitojnë zgjedhjet.
“Unë besoj tek sistemi, nuk besoj tek individi, dua që ristrukturimi i PD të fillojë pikërisht aty, të përcaktohen termat sesi do funskionojë PD në planin organizativ dhe atë të termave. E rëndësishme është të ketë një kryetar që të hapë PD-në, të ketë një konfederatë të së djathtës, t’u bëhet thirrje atyre demokratëve që nuk e gjennë veten tek Berisha, ta kenë derën e hapur tek PD. Ajo që do ndodhë sot tek krahu i Berishës, është se do ta braktisin, do kthehen se do e shohin se me të nuk fitojnë dot zgjedhjet” – shtoi Bejko.