Mediat greke kanë publikuar detaje të reja në lidhje me arrestimin e Laert Haxhiut në Janinë një ditë më parë.

Sipas mediave greke, oficerët e policisë në Janinë arrestuan një person me rrezikshmëri të lartë pas një ndjekje aventureske si nëpër filma mbrëmjen e së hënës.

Oficerët e policisë së Sigurisë i kanë bërë sinjalizim që të ndalojë një makinë në zonën e Eleuzës së Janinës, por drejtuesi i mjetit nuk u është bindur efektivëve të cilët më pas i janë vënë në ndjekje.

Makina në tentative për të shmangur arrestimin nga policia, ka përplasur tre makina të tjera në rrugën e Vorio-Epirit, ku edhe mbeti i bllokuar. Policia greke thotë se ka arrestuar drejtuesin e makinës dhe 2 persona të tjerë në momentin që BMW X5 përplasur bordurën.

Po sipas mediave greke, nga hetimi i drejtorisë së policisë së Janinës rezultonte se personi që u arrestua ishte Laert Haxhiu, 31 vjeç, i cili kërkohej nga policia shqiptare si pjesë e një grupi kriminal dhe i akuzuar për vrasje e tentativë vrasje në Shqipëri.

Laert Haxhiu udhëtonte në makinë me një shqiptar të shpallur në kërkim dhe një grek. Media greke ERT shkruan se Haxhiu dhe një shqiptar tjetër hynë ilegalisht në Greqi. Ata i mori në Janinë një grek nga Athina.