Ndërsa temperaturat po rriten, toka është plotësisht e thatë në Spanjë dhe në Francën jugore. Niveli i ulët i ujit në lumenj dhe rezervuarë kërcënon prodhimin e energjisë elektrike.
Me rritjen e temperaturave gjatë verës, shkencëtarët po paralajmërojnë se Europa po shkon drejt një tjetër vere veçanërisht të nxehtë. Viti i kaluar ishte tashmë më i nxehti i regjistruar dhe përkeqësoi thatësirën e rajonit, të cilën studiuesit në BE e kanë përshkruar si më të keqen në 500 vjet. Deri më tani këtë vit, Spanja po përballet me situatën më të keqe.
“Situata e thatësirës do të përkeqësohet këtë verë,” paralajmëroi Jorge Olsina, profesor i gjeografisë në Universitetin e Alicante në Spanjë. Gjithashtu nuk ka asnjë shans që reshjet që mund të ndodhin tani ta zgjidhin problemin e thatësirës. Duke kërkuar ndihmën e BE-së, ministri spanjoll i bujqësisë, Luis Planas, paralajmëroi se “situata e krijuar nga kjo thatësirë është aq serioze sa efektet e saj nuk mund të trajtohen vetëm me burimet kombëtare”, sipas një letre që ai i dërgoi Komitetit Evropian më 24 prill, raporton abcnews.al.
Europa Jugore nuk është i vetmi rajon në botë që përballet me mungesë uji. Briri i Afrikës po përballet me thatësirën më të keqe në dekada, ndërsa thatësira historike në Argjentinë ka goditur prodhimin e sojës dhe misrit. Thatësirat më të shpeshta dhe të rënda në rajonin e Mesdheut, ku temperatura mesatare është 1.5 gradë Celsius më e lartë se 150 vjet më parë, është pasojë e ndryshimeve klimatike.
Pavarësisht paralajmërimeve, megjithatë, nuk janë marrë masat e duhura. Franca sapo ka përjetuar dimrin e saj më të thatë që nga viti 1959 , me paralajmërimet e thatësirës të lëshuara tashmë në katër rajone. Portugalia po përballet gjithashtu me thatësirë të hershme. Rreth 90% e vendit vuan nga thatësira, me thatësirën që ka prekur një të pestën e vendit, një zonë gati pesë herë më shumë se ajo e vitit të kaluar.
Me rezervuarët e ujit në një mesatare prej 50% të kapacitetit të tyre, qeveria spanjolle ka njoftuar se do të alokojë më shumë se 2 miliardë euro për t’u marrë me emergjencat. Gjithashtu, ajo është në pritje të përgjigjes nga Komisioni Europian për kërkesën e tij për mobilizimin e një fondi krize prej 450 milionë eurosh nga buxheti i bllokut për subvencionet bujqësore, raporton abcnews.al. “Thatësira e madhe në Europën Jugore është veçanërisht shqetësuese, jo vetëm për fermerët atje, por edhe sepse mund të rrisë çmimet tashmë shumë të larta të konsumit nëse prodhimi europian reduktohet ndjeshëm,” tha zëdhënësja e Komisionit Miriam García Ferrer.
Probleme të ngjashme mund të përballet edhe Italia, ku deri në 80% e rezervave ujore të vendit përdoren për bujqësi. Fermerët italianë planifikojnë të reduktojnë të korrat e tyre, duke mbjellë një sipërfaqe 6% më pak se vitin e kaluar, sipas të dhënave kombëtare. Pas dy vitesh mungesë uji, zonat e Italisë veriore filluan majin me një deficit prej 70% në rezervat e ujit nga shkrirja e akullit dhe një deficit prej 40% në lagështinë e tokës. Për shkak se toka është shumë e thatë, kur bie shi nuk është në gjendje ta thithë atë, gjë që mund të ketë pasoja katastrofike. Të paktën pesë persona kanë humbur jetën nga përmbytjet në rajonin Emilia Romagna, ndërsa shiu pritet të vazhdojë edhe për disa orë të tjera.