Erion Veliaj ka siguruar fitore të thellë Në Bashkinë Tiranë. Ai ka siguruar fitore të thellë me një diferencë mbi 58 mijë vota, ndaj kandidatit të ‘Bashkë Fitojmë’, Belind Këlliçit.
Kutia e fundit po numërohet në orët e para të mëngjesit. Kandidati i PS, Erion Veliaj ka marrë 54.69% (158531 vota). Sakaq, kandidati i koalicionit “BF”, Belind Këlliçi e ndjek në vendin e dytë me 34.58%(100246), me mbi 58 mijë vota diferencë.
Më tej kandidatët e partive të tjera, më konkretisht Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë ka marrë deri tani 4.77% të votave. Roland Bejko i PD-së me 4.27%. Nga ana tjetër Lajla Përnaska e PDIU me 0.73%, ndërsa Marko Dajti i Frontit të Majtë ka 0.97%.
Në bashkinë e Kavajës, fitues është shpallur kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë’, Fisnik Qosja i cili arriti të përmbyste rezultatin falë votave në kutitë e fundit të mbetura për t’u numëruar.
Në Bashkinë Rrogozhinë ka përfunduar numërimi dhe fitues Edison Memolla me 50.11% dhe kandidati i BF Shkëlqim Hoxha merr 49.89%. Diferenca është e ngushtë me vetëm 23 vota.
Partia Socialiste ka fituar thellë në Kamëz, me Rakip Sulin që ka marrë 60.36 përqind të votave, ndërkohë që kandidati I Berishës ka marrë vetëm 35.32 % të votave. Kandidati i PD Bilbil Bajraktari ka marrë vetëm 4.3%. Edhe në Vorë socialistët kanë marrë një rezultat spektakolar. Janë numëruar 44 nga 44 kuti dhe Blerim Shera ka marrë 73.5 %të votave ndërsa Indrit Hoxha vetëm 26.5 përqind.