Politikat e fushatës janë të mangëta përpara zgjedhjeve lokale të 14 majit në Shqipëri, në të cilat socialistët në pushtet përballen me një Parti Demokratike të ndarë në dysh.
Nga Fjori Sinoruka/
Socialistët në pushtet në Shqipëri nuk hasën vështirësi në zgjedhjet e fundit lokale në 2019 falë një bojkoti nga opozita kryesore Partia Demokratike. Këtë herë, më 14 maj, ata përballen me një opozitë në rrëmujë. Demokratët po marrin pjesë këtë vit në zgjedhje, por si dy fraksione rivale – njëri i udhëhequr nga Enkelejd Alibeaj, i cili ka kandidatë vetëm në 14 nga 61 bashkitë e Shqipërisë, dhe tjetri nga ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për “korrupsion madhor”.
Berisha është bashkuar me Partinë e Lirisë të ish-presidentit Ilir Meta nën sloganin e fushatës “Ndryshimi fillon nga duart e tua”. Slogani i vetë socialistëve është “Vetëm përpara, kurrë më mbrapa”
Në realitet, pritet pak ndryshim, me fushatën që nuk rrotullohet rreth çështjeve lokale, por rreth liderëve të partive, në mungesë të ndonjë programi të vërtetë zgjedhor që përjashton premtimet populiste për paga më të larta dhe transport publik falas.
“Ne në fakt nuk kemi parë asnjë kandidat”, tha Edlira Gjoni, një eksperte komunikimi në Tiranë. “Ne thjesht shohim liderët e opozitës dhe qeverisë që sillen sikur janë zgjedhje të përgjithshme në vend të zgjedhjeve lokale.” “Gjuha e përdorur në këtë fushatë elektorale nuk ndryshon nga ato të mëparshmet, në kuptimin që është gjithmonë kundërshtari në shënjestër dhe jo programi i tyre.”
Opozita “konkurron kundër vetes së saj”
Duke iu afruar një dekade në pushtet, socialistët e hapën fushatën e tyre për zgjedhjet vendore në një park në kryeqytet, Tiranë, me kryebashkiakun aktual Erion Veliaj që premtoi “fushatën më pozitive, më të gjelbër dhe më të bukur që kemi pasur ndonjëherë”.
Veliaj ricikloi gjithashtu një premtim për të siguruar furnizim me ujë 24 orë për të gjitha familjet dhe mbrojti zotimin e qeverisë për të rritur pagën mesatare të sektorit publik nga 530 euro në 900 euro në muaj. Koalicioni “Bashkë fitojmë” i Berishës dhe Metës e nisi fushatën e tij në një stadium sportiv. Kandidati përballë Veliajt, Belind Këlliçi, ka premtuar transport publik falas për banorët e Tiranës.
Berisha u detyrua të bashkohej me Metën sepse nuk mund të regjistrojë dot fraksionin e tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve falë një mosmarrëveshjeje gjyqësore të vazhdueshme se kush do të drejtojë Partinë Demokratike. Me ndarjen në dysh të partisë, fraksioni i Alibeajt ka arritur të nxjerrë kandidatë vetëm në 16 nga 61 bashkitë e vendit. “Partia kryesore e opozitës po konkurron kundër vetvetes”, tha Lutfi Dervishi, gazetar politik.
Mungesë politikash
Pasi fitoi në zgjedhjet e fundit vendore, Rama këtë herë ka kërcënuar se do të të refuzojë bashkëpunimin “me individë të cilësuar ‘non grata’”, duke iu referuar Berishës dhe vendimit të vitit 2021 nga SHBA-ja.
Kjo mund të sjellë telashe për çdo bashki që fitohet nga aleanca Berisha-Meta, duke qenë se çdo njësi vendore është shumë e varur nga fondet e buxhetit qendror, i cili kontrollohet nga qeveria.
“Në Shqipëri ka një thënie popullore”, tha Gjoni. “Kur një parti politike ulet dhe përgatit një program, fundi i saj duhet të jetë afër – ose do të shpërbëhet ose nuk është më relevante. Është një shaka, por gjithashtu thotë shumë për rëndësinë e të pasurit një program politik në zgjedhjet shqiptare.” Në mungesë të politikave, politikanët “u bëjnë thirrje emocioneve”, tha Gjoni për BIRN.
“Nëse partitë do të uleshin dhe do të hartonin programe, do t’i bënin thirrje logjikës së votuesve dhe logjika e votuesve do të kërkonte që partitë politike të japin llogari për premtimet e tyre”, tha ajo. “Dhe supozoj se ne nuk kemi politikanë që dëshirojnë të japin llogari për momentin ose votues që janë të arsimuar për të kërkuar llogari. Kështu që nuk do të kemi programe.” Nuk ka asnjë shenjë se parregullsitë që dëmtuan zgjedhjet e mëparshme nuk do të përsëriten këtë herë, mes raporteve të mediave për votues që kërcënohen nga zyrtarët lokalë dhe qeveria që tregon fuqinë e saj në emër të kandidatëve të Partisë Socialiste.
Ekspertët paralajmërojnë se dështimi për të ndëshkuar shkeljet zgjedhore ka sjellë në një klimë mosndëshkimi. Instituti për Studime Politike në Tiranë, i cili monitoron zgjedhjet, ka bërë thirrje për një përgjigje ndaj raportimeve për shkelje “flagrante” që përfshijnë zyrtarë të lartë publikë që kanosin banorët dhe punonjësit e sektorit publik për të votuar në një mënyrë të caktuar ose rrezikojnë “të braktisen” nga shteti.