Deputetja e PD-së Flutura Açka ka reaguar sërish në lidhje me humbjen e opozitës në zgjedhjet lokale, ku përmes një postimi në rrjetet sociale se shkruan se nëse nuk nis shpejt një lëvizje e re opozitare atëherë do të ketë një thyerje të demokracisë shqiptare.
Açka thekson se ata që fituan dhe ata që humbën janë duart e pista të cilët po vjedhin dhe joshin shpresat e shqiptarëve.
Sakaq shton se “Me këtë sistem që këta i komplotuan demokracisë shqiptare më prill 2008, nuk ka shërim. Na duhet një shkundje e vërtetë morale, dhe kjo nuk bëhet vetëm”.
Fitimtarë pa moral, të mundur pa turp!
Kjo është arsyeja pse parlamenti i së enjtes nuk kishte asnjë zë në rendin e ditës që të përfshinte diskutime.
E pra: tri ditë pas zgjedhjeve!!!! Kjo është arsyeja pse pas dy muajsh paralizë totale të shtetit dhe Parlamentit, ai do të ketë sërish javë të gjelbër. Nëse shumë shpejt nuk nis një lëvizje e re opozitare, jopolitike por mirëfilli politike, thyerja e demokracisë shqiptare do të jetë falale. Këta fitimtarë e këta humbësa janë duart e pista të një trupi të përmutur, në mos të vdekur, që kutërbon. Që vjedhin vullnete. Që blejnë shpirtra. Që joshin naivitete. Që vrasin shpresa. Që mashtrojnë besimtarë. Që ndërsejnë fanatikë. Që miqësojnë kriminelë. Që rehatojnë të korruptuar. Jam pjesë e saj, e di. Por urrej t’i ngjaj, i rri larg për higjienë politike. Nuk e dija që ishte mekanizëm, pa zemër. Vetëm me racio pushteti.
Fitimtarët dhe humbësat ishin bashkë në betejë, janë bashkë edhe në fitore. Arsyeja pse nuk ka asnjë grimë reflektim. Sepse njërit po t’i shkasë këmba, trondit bashkësinë. Na duhet t’ua shpjegojmë këtë shqiptarëve. Po ua shpjegoj bashkë me keqardhjen e thellë. Me këtë sistem që këta i komplotuan demokracisë shqiptare më prill 2008, nuk ka shërim. Na duhet një shkundje e vërtetë morale, dhe kjo nuk bëhet vetëm. Çdo mbërtheckë tjetër e nivelit liliput, vetëm shtrëngon vidat e këtyre, vetëm grasaton mekanizmin e ndryshkur politik që këta i sajuan demokracisë shqiptare, e cila sot ngjan si një pajisje që bën zhurmë tek ecën nga zhvidhosja.