Puna e Bashkisë së Tiranës në tetë vitet e fundit ka prekur përditshmërinë e secilit prej nesh, jo vetëm nëpërmjet shkollave e projekteve madhore publike, por mbi të gjitha në mirëmbajtjen dhe përmirësimin e mbi 100 blloqesh banimi.
Në një Tiranë që ka arritur në 1 milionë banorë, Tirana i ka kushtuar një vëmendje të shtuar investimeve për më shumë rrugë të shtruara dhe të ndriçuara mirë, trotuare të rregullta, për më shumë hapësira çlodhëse dhe rekreative etj.
Sheshi Skënderbej, Pazari i Ri, Kalaja, Unaza Vogël, Bulevardi Zog 1, Bulevardi Ri, dhe shumë shpejt Unaza e Madhe, Sheshi Italia, ku ndodhet stadiumi ‘Arena Kombëtare’, Transformimi i PMLAT, Kopshti Zoologjik, Parku Olimpik, dhe Parku i Liqenit të Farkës, kanë krijuar një realitet krejt ndryshe me hapësira ikonike.
Nga një kryeqytet me infrastrukturë të degraduar në vitin 2015, me rrugë të mbushura plot gropa, me puseta pa kapakë, pa sinjalistikë, pa ndriçim, në vetëm tetë vite janë rikualifikuar tërësisht 49 lagje.
Gjatë tetë viteve janë mirëmbajtur 74Km rrugë brenda blloqeve të banimit, ndërkohë që 97% e rrugëve të qytetit tashmë janë të ndriçuara.
Nëse do e krahasojmë me Tiranën e 2015-s, është thuajse trefishuar numri i rrugëve të ndriçuara, duke kontribuar edhe për një qytet më të sigurt. Përveçse kursejnë energji, ndriçimi LED ka një jetëgjatësi shumë herë më të lartë.
Janë ndërhyrje që nuk kanë prekur vetëm qendrën e zonës urbane, por dhe periferinë dhe zonat rurale të Tiranës. Janë ndërtuar gjithashtu dhe 50 km rrugë të reja – njësoj sa 25 bulevarde të reja. Prej tyre, 20 km vetëm në qytet, ndërkohë që një vëmendje e shtuar i është kushtuar edhe fshatit, ku janë shtruar 30km.
Gjatë këtyre 8 viteve janë realizuar 110 mijë ndërhyrje në mirëmbajtje dhe riparim të trotuareve, rrugëve, ndriçim, dhe kanalizime të ujërave të bardha. Më konkretisht janë mirëmbajtur dhe rehabilituar 1,900 segmente rrugësh, të cilat janë pajisur me trotuare, sinjalistikë dhe puseta. Prej kohësh tashmë, Tirana nuk njeh më as përmbytje, pasi ekipet e mirëmbajtjes së bashkisë kryejnë ndërhyrje të përditshme të mirëmbajtjes.