Sot është arrestuar me akuzën e blerjes së vota, po kush është Fredi Beleri, cili pas marrëveshjes Berisha-Dule, është konfirmuar si kandidat i opozitës për Bashkinë e Himarës? Për afro tri dekada emri i tij është lidhur me një prej ngjarjeve më të rënda, që cënoi sovranitetin e vendit, “Masakrën e Peshkëpisë”. Është arrestuar, liruar, hetuar e gjykuar për atë ngjarje, dosja e të cilës përfundon gjithmonë duke u mbyllur me siglën “pa autor”.
Paradoksi qëndron në faktin se në vitin 1994, kohë kur Sali Berisha ishte president i Republikës, Beleri ishte një nga personat e akuzuar për “Masakrën e Peshkëpisë”. Pavarësisht asaj që kishte ndodhur në Gjirokastër, ai mori guximin dhe kandidoi për kryetar të Bashkisë së Himarës në zgjedhjet lokale të 2015-ës, në siglën e PBDNJ. Edhe pse e mori me vote përgjigjen e himariotëve, duke mos arritur të fitonte, ai e provoi sërish në vitin 2019, por, para 4 vitesh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi kandidimin e Alfred Belerit si kandidat i pavarur për zgjedhjet e 30 qershorit 2019 në Bashkinë e Himarës.
Shkak për këtë vendim ishin shkeljet që iu gjetën në formularin e dekriminalizimit. Në vitin 2006, Gjykata e Vlorës e ka dënuar me 3 vjet burg për thirrje urrejtjeje nacionaliste.
E prapë nuk dorëzohet. Beleri sërish kandidon dhe aspiron për të tretën herë që të drejtojë Bashkinë e Himarës. Ai është hetuar tri herë për “Masakrën e Peshkëpisë”, një herë në Greqi dhe dy herë në vendin tonë. Tashmë dosja është e arkivuar, ashtu si edhe në rastet e mëparshme, me siglën “Pa autor”. Fredi Beleri dhe dy të dyshuarit e tjerë të kësaj ngjarjeje, prej asaj date u liruan nga akuzat e ngritura ndaj tyre.