Roma dhe Sevilla do të përballen mbrëmjen e sotme në Budapest, në finalen e Europa League, teksa pak orë para takimit, ka folur edhe sulmuesi argjentinas i andaluzianëve, Erik Lamela.
Ky i fundit është edhe ‘ish’-i i madh i takimit, pasi ka luajtur për dy sezone në periudhën 2011-2013, teksa ka folur edhe për raportet me Mourinhon, të cilin e ka pasur trajner te Tottenhami, por edhe Dybalën.
Roma – Kam kujtime të jashtëzakonshme nga Roma si klub, por edhe Roma si qytet. Ishte klubi i parë europian që më besoi, duke më marrë nga Amerika e Jugut dhe ka kaluar dy sezone të mrekullueshme. Tani jam më i pjekur dhe përgatitem ndryshe, megjithatë kam shumë miq në Romë dhe e shijoj gjithmonë udhëtimin atje.
Mourinho – Kam një raport shumë të mirë me të, pasi kemi kaluar disa kohë bashkë te Tottenham dhe kemi shkuar mirë. Është një person special, argëtues, që të transmeton energjitë e tij dhe di të udhëheqë skuadrën.
Dybala – Kam marrëdhënie shumë të mira dhe kam folur me të sapo u përcaktua finalja, por nuk e kam pyetur për gjendjen fizike. Shpresoj të luajë, pasi është një lojtar i madh dhe e meriton finalen. Duke njohur Mourinhon, nuk besoj se do të mbetet jashtë, megjithatë ne duhet të mendojmë për vete dhe të përgatisim si duhet finalen.