Nga Fatos Tarifa
Lexova këto ditë një tiranas të dëshpëruar. Thoshte se ishte kthyer në Tiranë kohët e fundit pas shumë vitesh në emigrim dhe kishte mbetur i zhgënjyer dhe shumë i dëshpëruar që në Tiranë gjeti jo qytetin që kishte lënë shumë vite më parë, por një qytet krejt tjetër, me të cilin thoshte se nuk identifikohet dot më.
Nuk e di ç’moshë ka autori i atyre fjalëve ndaj edhe s’mund të them se për cilën Tiranë e ka fjalën ai: për Tiranën e viteve 1960, për Tiranën e viteve 1980 apo për Tiranën postkomuniste të viteve 1990. Nuk e di, pra, se me cilën Tiranë identifikohej më parë ky person dhe as me cilat tipare të identitetit urban të kryeqytetit tonë.
Nëse dëshpërimi i tij është thjesht një projeksion politik i transformimit të madh që është kryer në Tiranë unë këtë e kuptoj. Një pjesë e madhe e njerëzve, simpatitë politike të të cilëve nuk janë për Partinë Socialiste dhe për kryebashkiakët socialistē të kryeqytetit, Edi Ramën dhe Erion Veliajn, të vetmit që e kanë transformuar Tiranën në këto tri dekada të fundit, i kritikojnë ndryshimet e bëra thjesht politikisht, edhe pse jo domosdoshmërisht nuk i pëlqejne ato.
Nëse nostalgjia e personit dhe e “nostalgjikëve” të tjerë si ai lidhet me Tiranën e viteve 1990, kur Tirana shkoi për dreq, në një kohë kur i tërë vendi, nën sundimin e Sali Berishës humbi toruan dhe shkau në një marrëzi kolektive, kur Tirana u masakrua nga pikëpamja urbanistike, u kioskëzua, u fëlliq, u qelb, pra nëse personi nē fjalë ka nostalgji për atë Tiranë, nuk di ç’të them.
Nëse, si emigrant, ai ka jetuar e punuar në një vend të Europës Perëndimore, në SHBA ose në Kanada, do të kishte qenë e arsyeshme që Tirana që gjeti kur u kthye ta kishte bërë të ndihej mirë, pasi gjeti në vendlindjen e tij një qytet më europian, ose më perëndimor se ai që la, gjeti një copëz Europë në një vend që për gjysmë shekulli kishte qenë shumë larg Europës, edhe pse gjeografikisht dhe historkisht pjesë e saj.
Përfytyroni për një çast sikur nipi im Heru, i lindur në Tiranë në vitin 2018 dhe që ende s’është bërë 5 vjeç, ta kishte gjetur Tiranën siç ishte ky qytet në vitin 1979, kur lindi i ati i tij dhe djali im, apo si Tiranën e mesit të viteve 1950, kur u linda unë.
Në atë Tiranë do të donin të jetonin sot, në dekadën e trete të shekullit të 21-të, djali dhe nipi im?! Në atë Tiranë do të donin të jetonin sot qindra mijë të rinj e të reja shqiptarë të lindur në Tiranë, ose në Shqipëri pas viteve 1980, pra gjenerata e milienasve shqiptarë, apo shqiptarët e gjeneratës Z (të lindur mes viteve 1995-2012) apo ata të gjeneratës Alfa, pra fëmijët e lindur në këto dhjetë vitet e fundit?!
Kush na i jep neve, brezave të rritur, të drejtën që t’i mbajmë Tiranën dhe qytetet e tjerë të vendit të pandryshuar, siç kanë qenë kur ne ishim të rinj? Një pretendim i tillë është moralisht i gabuar dhe praktikisht i pamundur. Kohët ndryshojnë. Me to ndyshojmë edhe ne, ndryshojnë kërkesat dhe nevojat tona si dhe mundësitë e mënyrat për t’i përmbushur ato.
Fëmijët tanë dhe fëmijët e tyre do të jetojnë në një Tiranë të së nesërmes, në Tiranën që po bëhet dhe që do të bëhet, jo në Tiranën e djeshme, jo në Tiranën e kohës së fëmijërisë dhe të rinisë sime dhe të brezit tim, apo në Tiranën që shumë nga ata kundërshtarë politikë të PS-së, që sot çirren duke sharë kullat, korsitë e biçikletave, trafikun dhe transformim e madh që është kryer në kryeqytet, nuk e kishin vizituar një herë para se të bëheshin banorë të saj.
Asgjë nga këto nuk ka të bëjë me nostalgjinë njerëzore. Nostalgjikë tilla s’janë veçse nostalgjikë politikë, njerëz që kanë mall dhe duan kthimin në kohën e Babës–të Babë Qamilit apo të Babë Saliut.
Nostagjia është një tipar i gjendjes sonë humane. Si qenie njerëzore ne kemi nevojë të ruajmë një farë vazhdimësie narrative me të shkuarën tonë. Duke iu larguar sa më shumë së shkuarës, ne kemi nevojë të rikthehemi tek ajo, qoftë edhe si një gjendje e mendjes sonë. Kjo, ndoshta, ndodh edhe për shkak se ne jemi gjithnjë në “një kërkim nostalgjik” për një riintegrim të vazhdueshëm në një totalitet shoqëror të ri, siç është edhe Shqipëria e sotme.
Por, siç vinte në dukje Marcel Proust, nostalgjia për gjërat e shkuara nuk është domosdoshmërisht kujtesa e gjërave siç ato kanë qenë. Unë kam shumë nostalgji për Tiranën e fëmijërisë dhe të rinisë sime, për lagjen ku kam jetuar dhe shokët e lagjes, për shkollën fillore dhe për kohët e bukura me shokët e klasës në gjimnazin Petro Nini Luarasi në fillim të viteve 1970. Edhe pse të privuar nga shumë liri dhe të mira materiale, ne e jetonim dhe e gëzonim jetën në mënyrën tonë dhe, ndoshta, më shumë–edhe pse krejt ndryshe–nga fëmijët dhe të rinjtë e sotëm.
Si i tërë brezi im, unë kam nostagji për atë kozmos të vogël urban ku jam rritur, për Tiranën e xhiros së bulevardit të madh, për Broadway‐n dhe Rrugën e Barrikadave, për Tiranën pa trafik, pa këtë popullsi të dendur që ka sot dhe pa kaq shumë policë në rrugët e saj, për Tiranën me vetëm një maternitet dhe me vetëm gjashtë gjimnaze, vendndodhjen e të cilëve e dinte kushdo, për Tiranën ku nuk humbisje dhe ku lehtësisht mund të gjeje çdo adresë, për Tiranën pa zhurma dhe pa krim.
Kjo Tiranë nuk është më dhe s’do të mund të ishte pas shumë dekadash ndryshimesh dhe në një shoqëri që nuk është më një diktaturë socialiste, por një republikë demokratike.
Nuk duhet të harrojmë, gjithashtu, se edhe e sotmja do të jetë nostalgji e së ardhmes për të sotmen e shkuar. Ashtu si Hannah Arendt, duke qenë kundër zhbërjes destruktive të së shkuarës, unë jam kundër konservimit nostalgjik të saj./Botuar në DITA